Kryeministri Edi Rama u shpreh sot, në një mbledhje të zgjeruar me grupin parlamentar të PS-së dhe kabinetin qeveritar,  se dikur drejtësia nuk guxonte të hapte çështje kundër zyrtarëve të lartë.

“Dikur jo ministra, por as ish-ministra nuk i thërriste dot prokuroria, as nuk e hapte fare një çështje nëse mund të lidhej direkt me ndonjërin syresh. Ndërsa pushteti politik e linçonte publikisht drejtësinë dhe direkt Prokurorin e Përgjithshëm, herë duke krijuar shumicë fluide në parlament edhe kundër kryeministrit për ta shkarkuar, apo duke kushtëzuar konsensusin për zgjedhjen e presidentit të Republikës me kërkesën mafioze për të bërë kurban njëherë Prokurorin e Përgjithshëm me votat e opozitës. Apo duke e pagëzuar publikisht si ‘lavire bulevardi’ nga tribuna e kryeministrisë dhe duke përdorur për letër higjienike urdhëarrestet e Prokurorit të Përgjithshëm për drejtuesit e policisë, si në rastin e 21 janarit”, tha Rama.

“Dikur kreu i tatimeve të Republikës së Shqipërisë vazhdonte të drejtonte agjencinë më të rëndësishme të vendit nga kuzhina në arrest shtëpie për krime dhe kryeministri predikonte prezumimin e pafajësisë duke u bërë mburoja e tij kundër drejtësisë. Dikur milionat bëheshin rrush e kumbulla për të blerë vota dhe këto nuk janë ‘dikuret’ e vitit 1923 apo 1993, por janë ‘dikure’ të deri 10 vjetëve më parë”, shtoi Rama.

Ndërkohë, kryeministri nënvizoi se personazhet dhe partitë e kohës së këtyre ‘dikureve’ janë sot e gjithë ditën në hapësirën e pushtetit politik në Shqipëri sa në majë të pallatit apo skelave prej hekuri duke lëshuar thirrje histerike kundër korrupsionit dhe kundër SPAK-ut.

Por, kryeministrit theksoi se sot çdokush para ligjit nuk është asnjë gjë më shumë se sa një qytetar, siç e parashikon Kushtetuta, para ligjit jemi të gjithë të barabartë./ata