Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, kërkesat e një minorance për koka turku janë pa themel logjik.
Në mbledhjen e zhvilluar sot me Grupin Parlamentar dhe Kabinetin Qeveritar për adresimet mbi qeverisjen, ligjin, korrupsionin dhe Nismën e Re Kombëtare për Shqipërinë 2030, Rama tha se, “kërkesat e një minorance ulëritëse për koka turku, përtej kokave që pret vetë drejtësia, janë jo pa asnjë themel moral, po as pa themel logjik, në funksion të luftës reale me korrupsionin, e cila nuk përparon, por bën vetëm hapa mbrapa, nëse fiton kultura transaksionale, kjo kulturë që vazhdon jeton mes nesh, bartur që nga kohët e vjetra të Arbërisë otomane, më jep kaq të jap aq, hiq këtë vër atë, të iki Lena të vijë Prena, që është në fakt fermenti i korrupsionit”.
Prandaj, shtoi Rama, “këto kushtrime morale vijnë jo nga ata që besojnë vërtet në llogaridhënie, se ata që besojnë vërtetë në llogaridhënie e kuptojnë që ky është një ushtrim i kombinuar i shtetbërjes, i krijimit të institucioneve, i fuqizimit të mekanizmave dhe i drejtësisë, por nga ata që nuk kanë asnjë kulturë tjetër përveç shkatërrimit të çdo sistemi llogaridhënieje”.
“Zëdhënës të një uni antishtet që jeton brenda shqiptarëve dhe lufton me unin për shtet. Është ai uni antishtet që i thotë shqiptarit ligji duhet të jetë i barabartë, përveçse kur vjen puna tek unë.
“Ata, historia e këtyre 30 viteve i njeh si dhunues të roleve dhe të misioneve të tyre, qoftë në politikë dhe qoftë dhe në media, ku sipas interesit bëjnë konstruktivin, bëjnë destruktivin, bëjnë avokatin, bëjnë prokurorin dhe pastaj bëjnë gjykatësin dhe fajësojnë dhe shfajësojnë, jo bazuar mbi moralin, as mbi të vërtetën, por vetëm mbi thirrjen e brendshme të unit antishtet”, tha Rama.
“Kjo është një perçe morale që shfaqet përmes këtyre zëdhënësve të minorancës ulëritëse sa herë vepron drejtësia. Dhe nuk ia zgjeron në fakt, por ia ngushton frymëmarrjen përpjekjes së madhe morale për pavarësimin e drejtësisë dhe shtetbërjen demokratike”, tha Rama./ata