Kryeministri Edi Rama, i është përgjigjur sot deklaratave të kreut të Prokurorisë Speciale Antikorrupsion, Altin Dumani i cili gjatë raportimit në KLP mbi punën e SPAK u shpreh se kanë rënë denoncimet për korrupsion nga institucionet shtetërore.

Në fjalën e tij përpara grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe kabinetit qeveritar, Rama argumentoi se drejtoria antikorrupsion në Ministrinë e Drejtësisë janë referuar 532 masa disiplinore. Po ashtu, Rama tha se veprimtaria e SPAK-ut ka pasur impakt parandalues.

“Dëgjova drejtuesin e SPAK-ut në raportimin e tij përpara Këshillit të Lartë të Prokurorisë kur tha se kanë rënë denoncimet për korrupsion nga institucionet shtetërore. E thashë më lart dhe besoj e shtjellova pse misioni bazë i pushtetit ekzekutiv në luftën kundër korrupsionit nuk është dhe s’mund të jetë hetimi i brendshëm i korrupsionit, por hartimi dhe zbatimi i masave sistemike, që adresojnë problematika sistemike dhe ngushtojnë sistematikisht hapësirat për korrupsion përmes mekanizmash që janë jo subjektiv, duke zvogëluar subjektivitetin e individit si fuqi për të ndikuar procese, i nxitur nga korrupsioni”, tha Rama.

“Unë besoj dhe këtë e kemi diskutuar me ministrin e Drejtësisë, e kemi diskutuar dhe me ministrin e Shtetit për Antikorrupsion, se një arsye e rënies së një lloji të caktuar denoncimesh për korrupsion nga institucionet, është në fakt impakti parandalues që ka filluar të japë dhe vetë veprimtaria e SPAK-ut”, shtoi Rama.

“Megjithatë nuk e solla në vëmendje opinionin e drejtuesit të SPAK-ut për ndonjë replikë, thjesht për një qasje tjetër, por për të rrëzuar me fakte dhe me shifra pretendimin e shumë përsëritur të kundërshtarëve tanë dhe të altoparlantëve të tyre, se rastet që zbulojnë hetimet e SPAK-ut janë rrufe që bien në një territor ku s’bëhet asgjë për të pastruar ferra dhe për të kapur derra që llokoçiten në moçalin e korrupsionit”, vijoi Rama.

“Në vetëm 2 vitet e fundit, Drejtoria e Përgjithshme Antikorrupsion në Ministrinë e Drejtësisë, e cila ka dhe një rrjet koordinatorësh antikorrupsion në 44 institucione dhe agjenci në varësi të ekzekutivit, ka urdhëruar 532 masa disiplinore për shkelje, ka bërë 263 rekomandime për ndryshime të natyrës ligjore, rregullatorë apo institucionale dhe ka dorëzuar në Prokurori, 48 kallëzime penale”, u shpreh Rama.

“Nga ana tjetër, nëse në vitin 2012 janë arrestuar, janë ndjekur me masa e të tjerë nga vetë Policia e Shtetit vetëm 270 efektivë të përfshirë në veprimtari të paligjshme dhe korrupsion në këto vite të qeverisjes sonë, numri i të arrestuarve, nuk po flas për të tjerët, është trefish, 737 efektivë policie. Nga korriku i vjetshëm, në prillin e këtij viti, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore që e ristrukturuam mbi SHKB-në e vjetër edhe e modernizuam, ka bërë 2270 referime në Prokurori me 349 punonjës te referuar dhe 65 efektive policie të arrestuar përfshirë edhe për korrupsion”, tha kreu i Partisë Socialiste.

“Shpresoj që shembujt që solla të shërbejnë  për gjithë ata që ndershmërisht kanë krijuar idenë se ne kemi fjetur gjumë në këtë aspekt dhe këto që kanë ndodhur së fundmi me hetimet e SPAK-ut për zyrtarë të lartë nuk tregojnë as se si që ne e kemi lënë administratën jashtë vëmendjes dhe syrit të luftës anti-korrupsion”, u shpreh Rama.

“Perceptimi nuk është gjithnjë realitet, por edhe mohimi i perceptimit nuk e ndryshon realitetin. Kështu që unë nuk dua ta mohoj fare perceptimin e përgjithshëm se korrupsioni është një fenomen shqetësues ende sot. Po as nuk mund ta pranoj kurrsesi se realiteti i korrupsionit sot është i njëjti, lëre ca që thonë, “edhe më keq”. Jo! Realiteti i korrupsionit sot është realitet i një kërcënimi nga një armik që është çdo ditë nga pak në zbythje, sepse është një e pavërtetë shumë e madhe, për të cilën zhurmojnë gojët e paepura të atyre që nuk kanë lënë asgjë pa thënë kundër nesh, për qëllime politike, nuk kanë lënë sajesë, shpifje, fabrikim pa amplifikuar. Të thuash të kundërtën. Deputetë, deputete, ministra, ministre, e nderuar Kryetare e Kuvendit, të pavërtetat për ne dhe për punën tonë nuk mund të bëjmë tjetër veçse t’i kundërshtojmë me fakte dhe me argumentet tona, por natyrisht e kemi mësuar tanimë se kush do të besojë atë që do dhe jo atë që duhet besuar, nuk do ta do ta ndryshojë opinionin e  krijuar nga të pavërtetat”, nënvizoi Rama./ata