Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin e ndryshuar për byronë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe Programin Kombëtar për Mbrojtjen Gjithëpërfshirëse.
Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e qeverisë të mërkurën, tha se projektligji për byronë është ndër më të rëndësishmit të ekzekutivit, derisa shtoi se pavarësisht tendencave për zvarritjen e jetësimit të këtij ligji i njëjti do bëhet si parandalim që kurrë më të mos keqpërdoret buxheti i shtetit dhe pozita zyrtare.
“Pavarësisht tendencave për zvarritjen e jetësimit të këtij ligji të rëndësishëm, byroja do të bëhet. Jetësimi i konceptit civil si zotim yni, përveç se do ta ruajë pasurinë publike dhe do t’ia kthejë shtetit atë që është përfituar jashtëligjshëm, byroja do të shërbejë si parandalim që kurrë më të mos keqpërdoret buxheti i shtetit dhe pozita zyrtare”, tha ai.
Ndryshimet e projektligjit i paraqiti ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ajo tha se në Projektligjin e ri për byronë janë adresuar vetëm katër nenet që janë rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese.
Në anën tjetër, kreu qeveritar duke folur për nevojën e miratimit të Programit Kombëtar për Mbrojtjen Gjithëpërfshirës, tha se i njëjti synon të ndërtojë qëndrueshmëri kombëtare në mënyrë që shoqëria të përgatitet të rezistojë, reagojë e të rimëkëmbet në raste të fatkeqësive natyrore a sulmeve të armatosura.
Ndërkaq, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se programi nuk ndërhyn në zhvillimin e FSK-së, por mundëson që qytetarët vullnetarisht të kenë rolin e tyre në sistemin e mbrojtjes dhe sigurisë.
Sipas tij, ky program është mbështetur në shtatë shtylla: Funksionimin shtetëror në raste krizash, organizimin shtetëror për mbrojtjen e vendit, mbajtjen e funksioneve vitale dhe shërbimeve esenciale të shtetit, qëndrueshmërinë shtetërore, qëndrueshmërinë e furnizimeve shtetërore, mbrojtjen e hapësirës së informacionit dhe edukimin e të rinjve dhe të rejave.
Qeveria e Kosovës po ashtu e emëroi drejtor të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës (AUV) Bekim Hoxhën.
Krahas këtyre, Qeveria miratoi edhe koncept-dokumentin për ndihmë juridike falas dhe Projektligjin për kontabilitet, raportim financiar dhe auditim./TRT