Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë Silvio Gonzato u shpreh sot se “Bashkimi Evropian ka dhënë sinjale të qarta se duhet të përfundojë procesin e integrimit me vendet e rajonit”.
I pranishëm në aktivitetin e organizuar nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme në kuadër të Ditës së Europës, Gonzato tha se BE e ka kuptuar tashmë që duhet të përfundojë procesin e integrimit.
Por, sipas ambasadorit “të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të çojnë para reformat e kërkuara nga Bashkimi Europian”.
“Nga Brukseli ka sinjale të qarta se jemi në një moment tjetër të procesit të zgjerimit. E kemi kuptuar që duhet ta plotësojmë procesin e integrimit, ta përfundojmë atë. Po integrojmë një pjesë të rëndësishme të Europës në këtë projekt fantastik. Sinjalet janë të qarta. Kemi çeljen e negociatave për anëtarësim jo vetëm me Shqipërinë, me Bosnje Hercegovinën, me Maqedoninë e Veriut dhe shpejtësinë me të cilat shtetet anëtare dhe PE kanë rënë dakord për Planin e Rritjes, por edhe për reforma që janë kyçe për të ndërtuar këtë lloj shoqërie që kërkojmë”, tha Gonzato.
Duke folur për Planin e Rritjes, Gonzato u shpreh se “ideja është integrimi i vendeve me njëra-tjetrën”.
“Të gjitha gjërat duket sikur janë të drejtuara drejt biznesit, por nuk mund të jetë kështu pa trajtuar ndasitë në rajon”, tha ai.
Duke folur për procesin e integrimit europian të Shqipërisë, Ambasadori u shpreh se “që tani rruga është e hapur”.
“Procesi analitik i legjislacionit është kryer dhe Shqipëria dhe vetë BE kanë arritur të kuptojnë ku janë boshllëqet”, shtoi ai./ata