Kryenegociatorja dhe ministre e Shtetit, Majlinda Dhuka deklaroi sot “mbështetja e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor po rritet. Kjo është shprehje e një vullneti të forcuar për dinamikën e progresit”.
Në fjalën e saj në aktivitetin e organizuar në kuadër të Ditës së Evropës nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme “Evropa në shtëpi”, Dhuka foli për planin e rritjes së BE-së.
“Është një moment historik, të gjitha vendet janë në bisedime me Bashkimin Evropian. Çfarë ka ndryshe plani i rritjes? Është një instrument i ngjashëm me një instrument tjetër që BE ka përmendur më parë si plani i rindërtimit dhe rezidencës për vendet anëtare”, tha Dhuka.
Dhuka u shpreh se “BE punon mbi bazën e një cikli programesh rritje 2021-2027”.
“Në këtë çast 5 vende i kanë hapur negociatat. Plani i rritjes është një stimul më shumë për reformat dhe zhvillim i qeverisjes publike dhe mirëqeverisjes ekonomike”, shtoi ajo.
“Të qënurit anëtarë në BE kupton që shoqëritë tonë jetojnë në kushte krahasimisht të ngjashme. Objektivi kryesor është rritja e standardeve që ato të jenë krahasimisht të ngjashme mes qytetarëve tanë me qytetarët e BE-së”, nënvizoi Dhuka.
Sipas saj, plani i rritjes është një stimul për ta dyfishuar rritjen ekonomike të vendeve tona, sepse hendeku mes standardeve është ende prezent.
“BE është një motor i solidaritetit dhe zbutjes së diferencave, të pabarazisë. Kjo është një nga vlerat unike të BE-së, aspiratat shkojnë drejt zhvillimit shoqëror edhe solidaritetit. Pse është një lëvizje e re përshpejtuese? Sepse na krijohet mundësia të jemi pjesë e zhvillimeve të BE-së edhe përpara se të jemi anëtarë”, theksoi Dhuka.
Më tej Dhuka tha se “hapi radhës është përgatitja serioze për të qenë anëtar në Bashkimin Evropian. Hapi parë është çelja e negociatës, hapi radhës anëtarësimi dhe hapat e ndërmjetëm progresi me reformat”.
“Aktualisht Shqipëria po punon intensivisht për një axhendë reformash rritjeje nën planin e ri të rritjes të BE-së, i cili u miratua si një lajm shumë i mirë për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor, dy ditë para Ditës së Evropës”, tha Dhuka.
Reformat, shtoi ajo, shtrihen në fusha të ndryshme dhe mbi të gjitha synojnë forcimin e kapitalit njerëzor që është kapitali më i çmuar që Shqipëria ka.
“Shqipëria po punon për përmbushjen e kritereve për anëtarësim deri në vitin 2030”, tha Dhuka./ata