Ritmi i rritjes së kredisë bankare ka ardhur në përshpejtim gjatë tremujorit të parë 2024, duke regjistruar një nivel mesatar prej 11.6 %.

Banka e Shqipërisë, bën të ditur se, zgjerimi i huadhënies ka mbuluar nevojat e bizneseve dhe të individëve, si për investime, ashtu edhe për kapital qarkullues.

Gjatë kësaj periudhe, struktura e portofolit të kredisë vijon të shfaqë një zhvendosje progresive drejt lekut.

Sipas BSH-së, zgjerimi i kreditimit në monedhës vendase u nxit edhe nga normat më të ulëta të interesit, por dhe nga një përmirësim cilësor i portofolit, sikundër dëshmohet nga rënia e mëtejshme e treguesit të kredive me probleme.

Banka Qendrore vëren se, trendi pozitiv i kreditimit pritet të vijojë dhe në të ardhmen, i mbështetur si nga rritja e kërkesës për kredi bankare, ashtu dhe nga kushtet ende akomoduese të ofertës, duke mbështetur kështu zgjerimin e aktivitetit ekonomik në vend dhe konsumin./ata