Kryeministri Edi Rama u bëri një ftesë të drejtpërdrejtë investitorëve të huaj që të vijnë të bëjnë biznes në Shqipëri, në një pjesëmarrje online në Samitin e Investimeve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim që mblodhi në Londër krerë të qeverive nga Ballkani Perëndimor.

Rama tha se vendi ka ndryshuar.

“Përse jo. Shqipëria ka ndryshuar shumë, nga një vend i stigmatizuar si një vend jo i sigurt, në një vend që vitin e kaluar arriti 10 milionë turistë, thuajse trefishi i popullsisë. Sot kemi diversifikuar burimet energjetike dhe po prodhojmë gjithmonë e më tepër energji nga era. Çmimi i energjisë elektrike nuk ndryshoi edhe në kohën e krizës dhe mbetet ndër më të ulëtit në rajon. Borxhi jonë publik ka shkuar në një nivel historik, në nivelin 59,2 % në fund të 2023 nga 60 % që parashikohej. Pra pyetja pse investitorët seriozë duhet të hedhin paratë e tyre në Shqipëri? Përgjigjja e thjeshtë është se nëse nuk e bëjnë ata, do e bëjë dikush tjetër”, u shpreh Rama.

Me rëndësi, sipas kryeministrit Rama, është edhe thithja e sa më shumë investimeve në rajon dhe që sipas tij po koordinohej nëpërmjet nismës “Ballkani i Hapur”, por që u sulmua për arsye politike.

“Më pas ne krijuam Ballkanin e Hapur, pikërisht sepse pamë që Procesi i Berlinit kishte disa gjëra që nuk i bënte. Bëmë një progres të mirë, por fatkeqësisht iniciativa u sulmua dhe u la totalisht për arsye të këqija, sepse në fund të fundit ishte si një projekt implementimi… Politika është politikë, dhe kur politika përdoret për të bërë vota kundër këtyre projekteve strategjike atëherë projektet strategjike duhet të presin. Pra, në mund të bënim shumë më shumë, por mbetemi të burgosur të disa mureve që janë vendosur që në të kaluarën”, tha Rama.

Në samitin e gjashtë të BERZH-it për Ballkanin Perëndimor ishin të pranishëm përfaqësues të qeverive të 6 vendeve ndërsa mbështetje dhanë edhe Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel dhe Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi./ata