Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) Majlinda Bregu deklaroi se të dhënat e barometrit të ri ballkanik tregojnë një rënie të ndjeshme shtesë të mbështetjes së qytetarëve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësimin në BE, raporton Beta.
“Megjithatë, me 54 për qind të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor që mbështesin anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ky opinion është ende shumë i favorshëm në të gjithë rajonin. Një rënie prej tetë për qind nga viti 2021, megjithatë, është një kujtesë e dhimbshme e frustrimeve të shumë qytetarëve për shkak të ritmit të progresit, por edhe një thirrje për të bërë diçka për këtë”, tha ajo në një deklaratë me rastin e Ditës së Evropës.
Brega ka vlerësuar pozitivisht se numri i qytetarëve të anketuar që besojnë se anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk do të ndodhë kurrë ka rënë me pesë për qind, nga 23 në 18 për qind.
Angazhimi për reforma
“Ballkani Perëndimor ka bërë një rrugë të gjatë në dy dekadat e fundit. Zhvillimi i potencialit të rajonit, megjithatë, do të kërkojë burime të reja dinamizmi dhe transformimi për të kapërcyer sfidat e thella sociale, institucionale dhe mjedisore”, tha ajo.
Ajo shtoi se nuk bëhet fjalë vetëm për para dhe treg, por për vlerat – demokracinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut.
“Kjo është arsyeja pse në ditën e sotme të Evropës, le të mos valëvitim vetëm flamuj dhe të shikojmë fishekzjarre. Le t’i përkushtohemi punës së palodhur për reformat, luftën kundër korrupsionit dhe ndërtimin e një të ardhmeje në të cilën Ballkani Perëndimor nuk është thjesht mysafir, por pjesë e familjes. Një Evropë e orientuar nga njerëzit, e adaptueshme, e reformuar, e rilindur dhe gjithëpërfshirëse, me një Ballkan Perëndimor të integruar fort, përfaqëson investimin më të mirë në paqen dhe sigurinë e të gjithë kontinentit”, tha Bregu. /tesheshi.com/