Kryeministri Edi Rama, gjatë takimit me komunitetin shqiptar në sallën “Christmas Theater” në stadiumin ‘Galatsi’ të Athinës, theksoi se në asnjë rast nuk ka tradhtuar asnjë shqiptar që i ka besuar detyrën e kryeministrit.
Madje theksoi Rama, asnjë forcë madhore nuk mund ta joshë apo detyrojë atë që të cenojë interesat kombëtare të Shqipërisë.
“Unë nuk kam si ta hap zemrën dhe trurin tim që ju të hyni dhe të shikoni vetë çfarë ka brenda, por unë nuk iki dot sot pa ju thënë edhe dy fjalë. Gabime unë mund të kem bërë plot deri këtu në këto 10 vjet. Ju kërkoj ndjesë për çdo gabim që ju mendoni se kam bërë, por kurrë, në asnjë rast, nuk i kam tradhtuar ata që ma kanë besuar qoftë dhe një herë me votën e tyre këtë nder të jashtëzakonshëm. Nuk ka nder më të madh që mund t’i bëhet një njeriu në jetë sesa të udhëheqë vendin e tij. Prandaj nuk ka forcë materiale në këtë botë, fuqi politike, ekonomike, financiare, individ apo shtet që, mos o Zot, më josh a më detyron dot mua të përkulem për të përfituar për veten pas shpinës tuaj, për të cenuar interesat publike dhe private të shqiptarëve që unë nuk i njoh, por e di shumë mirë që ata më njohin mua, apo për të përkulur majat e paprekshme të interesave kombëtare të Shqipërisë”, deklaroi Kreu i Ekzekutivit.
Rama tha se “falë jush, kjo ishte vizita ime më e bukur në Athinë, dhe nuk besoj se do kem një më të bukur se kjo”./ata