Fotot e sallës se mbushur me mijëra shqiptarë në takimin e kryeministrit Edi Rama në Athinë kanë bërë xhiron e internetit si dhe kanë tërhequr vëmendjen e medieve greke:

Bussiness Daily

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ndodhet sot në Athinë për një vizitë private. Ai iu drejtua në një fjalim bashkatdhetarëve të tij që jetojnë në Greqi.

Mobilizimi i Policisë ka qenë i madh dhe llogaritet se në terren janë angazhuar mbi 1000 policë.

“Mirë se vini në shtëpinë tuaj të dytë në Greqinë fqinje dhe mike. Ju falënderoj nga zemra për këtë mikpritje prekëse”, u tha Rama shqiptarëve të mbledhur në sallën Klisto Galatsiou.

“Shqipëria më në fund ka ngritur kokën dhe po i shikon të gjithë në sy me të njëjtin respekt që ka dhe meriton nga të gjithë. Ju shqiptarët sot në Greqi jeni një vlerë e shtuar për ekonominë, dijen dhe kulturën e këtij vendi të bekuar, i cili për 25 shekuj ka qenë djepi i filozofisë dhe demokracisë”, shtoi ai.

Greqia është ndalesa e parë në serinë e takimeve të kryeministrit shqiptar me diasporën shqiptare nën sloganin “Krenar për Shqipërinë”.

Takime të tilla kryeministri shqiptar do të zhvillojë edhe në Milano, Mynih dhe Londër.

Rama shoqërohet nga 150 persona, mes të cilëve anëtarë të kabinetit të tij, deputetë dhe 50 gazetarë.

NEWS 24/7

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama mbajti një fjalim para mijëra miqve të tij, përfshirë shumë familje me fëmijë, mëngjesin e sotëm në Klisto Galatsiou.

Në fjalën e tij, e cila zgjati rreth një orë, kryeministri shqiptar iu drejtua turmës, duke kërkuar mbështetjen e tyre në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, ndërsa njëkohësisht u bëri thirrje biznesmenëve të tij që të investojnë në Shqipëri.

Ai e përshkroi vizitën e tij në Athinë si “më të bukurën” dhe më pas kërkoi falje për çdo gabim që mund të kishte bërë.

“Kërkoj falje për çdo gabim që mendoni se kam bërë, por as edhe një herë për këtë nder të jashtëzakonshëm nuk i kam tradhtuar ata që më besuan votën e tyre. Nuk ka nder më të madh për një njeri në jetën e tij të udhëheqë vendin e tij. Nuk ka fuqi materiale, ekonomike, person apo shtet që mund të më tundojë apo të më bëjë presion për të vepruar pas shpine dhe për të shkelur interesat tuaja. Kjo ishte vizita ime më e bukur në Athinë dhe nuk besoj se do të ketë më të bukur”, tha kryeministri Rama.

Në fjalën e tij, nuk mungoi veçanërisht kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis.

“Dëshiroj t’i dërgoj një mesazh në emrin tuaj mikut tim që u zgjodh nga populli i këtij vendi për të udhëhequr Greqinë, kryeministri Kyriakos Mitsotakis. Në vitin 1886 poeti ynë Naim Frashëri shkroi poezinë e tij në greqisht “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve”. Le të jetojmë me të gjithë fqinjët në paqe, të mos bëhemi armiq dhe të luftojmë. Shumë faleminderit nga unë dhe shqiptarët e Greqisë”, tha Rama.

ProtoThema

Qindra punonjës policie u vunë në dispozicion gjatë vizitës së kryeministrit shqiptar Edi Rama sot në Athinë.

Edi Rama u shoqërua nga afërsisht 150 persona. Në këtë shoqërim ishin anëtarë të kabinetit të tij, deputetë dhe 50 gazetarë, të cilët shkuan direkt në Klisto Galatsiou.

Aty ishin ngritur dy dhoma për kryeministrin e Shqipërisë dhe bashkëpunëtorët e tij.

Fjalimi i tij në Teatrin e Krishtlindjeve u mbajt rreth orës 11:00, por Edi Rama ka planifikuar të zhvillojë edhe takime me bashkatdhetarë, anëtarë të partisë së tij dhe biznesmenë gjatë ditës.

Pas përfundimit të takimeve, Rama do të pijë kafe me kolegët e tij në Klisto Galatsiou, ndërsa në orën 18:00-19:00 pasdite do të shkojë në aeroport për t’u larguar nga Athina.

Sky.GR

Prej mëngjesit të sotëm një numër i madh njerëzish janë dyndur drejt Klisto Galatsiou, e cila u mbush me qytetarë në pritje te fjalimit te kryeministrit shqiptar, Edi Rama.

Edi Rama ka mbërritur në aeroportin “Eleftherios Venizelos” rreth orës 11:30 dhe është nisur menjëherë drejt sallës së Klisto Galatsiou për të mbajtur fjalimin e planifikuar.

Masat e sigurisë së EL.AS janë të rrepta. Siç ka deklaruar qeveria greke, kjo është një “vizitë private” ku Edi Rama do t’u drejtohet bashkatdhetarëve të tij, që do të jenë të pranishëm në sallën Klisto Galatsiou.

Më shumë se 1000 punonjës policie janë vendosur në terren.

Kathimerini

Rama: Kyriakos është një mik që e respektoj shumë

“Kyriakos është kryeministri i Greqisë, është një mik që e respektoj shumë”, tha sot Edi Rama përpara se te mbërrinte në Greqi.

“Ai është kryeministri grek që, më shumë se çdo paraardhës i tij, me të cilin ka punuar, është vërtet i interesuar për forcimin e marrëdhënieve greko-shqiptare”, tha Rama.

Kryeministri Rama përmendi gjithashtu se plani për fjalimin e tij në Athinë nuk përfshinte asgjë për rastin e Fredi Belerit.

“Duam ta bëjmë drejtësinë të pavarur nga pushteti politik për herë të parë që kur Shqipëria shpalli pavarësinë nga Perandoria Osmane”, theksoi kryeministri shqiptar.

BusinessNews

Edi Ramës mbërriti sot në Athinë rreth orës 9 të mëngjesit nën masat e rrepta të sigurisë. Plani i ELAS-it parashikonte mobilizimin e mbi 1000 efektivëve të policisë (Di.AS. MAT, OPKE), helikopterëve, qenve të stërvitur, dronëve dhe fuqizimin e rrjetit të informacionit.

Kryeministri i Shqipërisë u prit në orën 10:00 në Klisto Galatsiou i shoqëruar nga forca të forta policore dhe në orën 10:30 mbajti fjalimin e tij.

Delegacioni i Edi Ramës përbëhej nga 150 persona, zyrtarë kabineti, deputetë, 50 gazetarë.

Të paktën 2000 persona udhëtuan nga Shqipëria drejt Greqisë për të ndjekur fjalimin e tij në Klisto Galatsiou.

InNewspaper

Policia greke mori masa drastike sigurie në prag të vizitës së kryeministrit shqiptar Edi Rama në Athinë, për të parandaluar çdo tension që mund të shkaktohet nga persona që kundërshtojnë vizitën e tij.

Kryeministri shqiptar mbërriti në aeroportin “El. Venizelos” sot në mëngjes.

Edi Rama u shoqërua nga forcat policore në Teatrin e Krishtlindjeve, ku u prit me Himnet Kombëtare të Greqisë dhe Shqipërisë dhe nga fëmijët e emigrantëve të brezit të parë dhe të dytë.

Delegacioni i Edi Ramës përbëhej nga 150 persona, zyrtarë të kabinetit, deputetë dhe rreth 50 gazetarë.

Kjo ishte një vizitë joformale njëditore, gjatë së cilës kryeministri shqiptar nuk takoi asnjë përfaqësues të qeverisë greke./ata