Ekonomia shqiptare do të përfitojë një rritje me 1% ndërsa emigrantët që sjellin të ardhura pranë familjeve do të kursejnë deri në 100 milionë euro nga trasaksionet pas futjes në sistemin europian të pagesave.

Matija Laco, drejtues në Bankën Botërore u shpreh sot në takimin që u zhvillua në Tiranë se e sheh anëtarisimin e Shqipërisë në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (Single Euro Payments Area – SEPA), një mundësi të madhe për bizneset dhe qytetarët.

“Nëse Shqipëria futet në pagesat digjitale europiane, ekonomia do pësoje rritje  me 1% të PBB dhe remitancat do të jenë më të mëdha për shkak të interesave më të ulëta”, tha Laco.

“Emigrantët dhe qytetrët parashikohet të kursejnë deri në 100 milion euro vetëmnga ulja e kostove të dërgesave. Po ashtu bizneset mund të kursejnë deri në 10 herë më shumë për një trasaksion  te thjeshte  prej 5 mijë euro dhe deri në 17 herë më shumë nëse është vlerë më e lartë”, u shpreh përfaqësuesi i BB.

Dy ditë më parë, Banka e Shqipërisë dorëzoi zyrtarisht aplikimin pranë Këshillit Evropian të Pagesave për anëtarësimin e Shqipërisë në SEPA, duke u renditur vendi i parë në Rajon që ka përmbyllur me sukses këtë fazë të rëndësishme të integrimit në tregun evropian të pagesave./ata