Edhe pse para dy ditësh ka mbaruar periudha kalimtare e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) rreth çështjes së dinarit, kjo valutë vazhdon të përdoret nëpër të gjitha dyqanet e veriut të vendit, ndërsa policia nuk ka marrë urdhër për t’i gjobitur personat që përdorin për pagesë valutat tjera përpos euros. Ndërkaq, BQK tregon për efektet nga plani për zbatim të lehtësuar të Rregullores për Operacione me Para të Gatshme.

Qytetarët serbë të kësaj pjese për KosovaPress, kanë pranuar se janë në dijeni për vendimin e BQK-së rreth dinarit, por vazhdojnë ta përdorin atë si valutë kryesore për shitblerjen e mallrave të ndryshme nëpër dyqane.

I kontaktuar nga KosovaPress, u.d. së drejtorit të policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka bërë të ditur përmes telefonit se policia nuk ka marrë urdhër për t’i gjobitur personat që përdorin për pagesë valutat tjera përpos euros.

Banka Qendrore e Kosovës ka njoftuar të hënën për efektet nga Plani për Zbatim të Lehtësuar të Rregullores për Operacione me Para të Gatshme.

“Nga lista prej 10 pikash të Planit, BQK ka realizuar aktivitete në secilën prej tyre, duke filluar nga funksionalizimi i linjës së telefonit pa pagesë (0800 222 55), lehtësimi i kushteve për hapjen e llogarive bankare, pezullimi i përkohshëm i tarifës së BQK-së dhe aktivitetit të intensifikuar promovues, deri te pikat tjera që kanë kërkuar angazhimin dhe kontributin e institucioneve financiare, për çka shprehim falënderimin”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se disa nga efektet e Planit për Zbatim të Lehtësuar të zbatuar gjatë periudhës tre mujore, i cili kontribuoi në rritjen e qasjes në financa të sigurta përmes bankave dhe institucioneve financiare jobankare, gjithëpërfshirjen financiare dhe mbrojtjen e tyre nga aktivitetet financiare të pashëndosha, janë paraqitur në vijim: Janë licencuar tetë (8) degë/zyra të institucioneve financiare.

Po ashtu sipas BQK-së, janë vendosur 38 bankomatë/ATM/pajisje të vetëshërbimit financiar; Janë kryer mbi 350 vizita dhe aktivitete promovuese (duke përfshirë Remote Banking); Janë dhënë afër 11 milionë euro kredi.

“Gjatë kësaj periudhe transitore tashmë të përmbyllur, BQK-ja në kuadër të edukimit financiar, ka organizuar fushata informuese, siç është Manuali për Pyetjet dhe Përgjigjet e Shpeshta mbi Rregulloren, dërgimi i SMS-ve informuese, publikimi i sqarimeve dhe njoftimeve në webfaqe dhe në të gjitha rrjetet sociale të BQK-së, në gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e BQK-së.

/KosovaPress/