Rreth 500 mijë shtetas shqiptarë në Itali dhe mijëra shtetas italianë në Shqipëri janë përfitues të drejtpërdrejtë nga marrëveshje për sigurimet  shoqërore ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë.

Komisioni për Ekonominë dhe Financat shqyrtoi sot në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë në fushën e sigurimeve shoqërore”.

Gjatë prezantimit të projektligjit, zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani, tha se, “qëllimi kryesor i tij, është mbrojtja shoqërore e shtetasve të të dy vendeve bazuar në përvojën ndërkombëtare dhe legjislacionet respektive në fuqi. Por dhe si angazhim i të dy vende për thellimin e çuarjen përpara të bashkëpunimit shumë të mira diplomatik mes Shqipërisë dhe Italisë”.

Sipas saj, projektligji, është një garanci shtesë për qytetarët e të dy vendeve, duke siguruar që asnjë qytetar nuk humbet asnjë ditë kontribute, pavarësisht vendit ku ai ka punuar, duke mundësuar plotësimin e kushteve ligjore, për përfitimin e pensionit në të dy vendet.

“Objekti i kësaj marrëveshje janë përfitimet nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore që përfshijnë, sigurime për pleqërinë, invaliditetin dhe pensionin familjar, sigurimin për përfitimin për sëmundjet dhe barrëlindjet dhe sigurimin e papunësinë”, tha ajo.

Manjani citoi dhe përfitimet nga skema italiane ku veçoi: sigurimin e përgjithshëm të detyrueshëm për pension invaliditeti, pleqërie dhe familjar të punonjësve të punësuar;  trajtimin e posaçëm të punonjësve të vetëpunësuar në sektor të ndryshëm dhe trajtimin e ndarë të këtij sigurimi të përgjithshëm të detyruar; sigurimin për sëmundjet ku përfshihen edhe tuberkulozi dhe barrëlindja; sigurimi i papunësisë dhe skemat e posaçme zëvendësuese dhe të veçanta të sigurimit të krijuara nga kategori të caktuara punonjësish.

Ajo tha se e drejta e qytetarëve për përfitimin nga skema e sigurimeve shoqërore lind në momentin e daljes në pension dhe shtetasve të kenë të njëjtat të drejta dhe detyrime për mbrojtjen shoqërore, ashtu sikundër dhe vendasit.

“Marrëveshja parashikon që periudha e sigurimit të realizuara në njërin shtet të njihen edhe nga shteti tjetër, me kusht që të mos mbi vendosen. Çdo person ka të drejtë të tërheqë përfitimin e siguruar kudo ku ai ndodhet. Bashkimi i periudhave kontributive, për të përmbushur afatin minimal (në rastin e Shqipërisë, prej 15 viteve) që duhet për të përfituar pension”, u shpreh Manjani.

Sipas saj, janë mbi 500 mijë shtetas shqiptarë në Itali përfitues të drejtpërdrejtë nga kjo marrëveshje.

Referuar statistikave, Manjani bëri të ditur se, janë 5775 biznese aktive që operojnë në vendin tonë, me të paktën një ortak me shtetësi italiane, nga të cilat 4605 janë 100% të huaja dhe 1170 me pronësi të përbashkët, shqiptaro-italiane. Nga Ministria e Brendshme, rezulton se në vitin 2022 kanë qenë rreth 2948 shtetas italianë në Shqipëri, në 2023 kanë aplikuar për herë të parë 1005 italianë dhe 3953 italianë ndodhen aktualisht në Shqipëri me leje qëndrimi.

Ajo shprehu angazhimin e qeverisës shqiptare për garantimin e mbrojtjes shoqërore të shtetasve shqiptarë kudo ku ata punojnë dhe jetojnë.

“Që prej vitit 2005 e deri më sot kemi janë nënshkruar një sërë marrëveshjes në fushën e sigurimeve shoqërore, ndër të cilat janë me Turqinë, Belgjikën, Hungarinë, Luksemburgun, Çekinë, Maqedoninë e Veriut, Gjermaninë, Austrinë, Bullgarinë, Kanadanë, Rumaninë,  Kosovën dhe Konfederatën e Zvicrës.

Nga të dhënat rezulton se janë 6401 aplikime nga shtetas shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në këto vende me të cilët kemi marrëveshje në fushën e sigurime shoqërore dhe përqendrimi më i lartë është në disa shtete, siç është rasti i Gjermanisë, ku nga viti 2017- 2023, kanë aplikuar për përfitim të kontributeve shoqërore 3613 qytetarë.

Për vitin 2024 janë depozituar 724 kërkesa”, tha Manjani.

Manjani informoi se në fushën e sigurimeve shoqërore pritet të hyjnë në fuqi dhe marrëveshjet me Malin e Zi, Kroacinë e Bullgarinë. Ndërsa janë në proces marrëveshjet me Poloninë dhe Serbinë dhe kanë shprehur dakordësi për fillimin e negociatave vende si Spanja, Sllovenia, Danimarka, Moldavia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe./ata