Komisioni për Politikën e Jashtme miratoi të hënën marrëveshjen ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale – INTERPOL, mbi Privilegjet dhe Imunitetet për Konferencën e 51-të Rajonale Evropiane, që do të mbahet në Shqipëri, nga data 11-13 qershor 2024

Zv/ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, prezantoi para ligjvënësve në Komisionin për Politikën e Jashtme detajet e marrëveshjes, të cilat u miratuan në unanimitet nga anëtarët e tij.

“Në datat 11-13 qershor do të mbahet në Shqipëri për herë të parë konferenca e 51-të rajonale e Interpol, ku një numër shumë i madh pjesëmarrësish do të vijnë, duke nisur nga Sekretariati i Përgjithshëm i Interpol, si dhe delegacionet e vendeve anëtare, që do të zbarkojnë në Tiranë. Në kuadër të këtij evenimenti vjen dhe kjo marrëveshje e cila synon të garantojë imunitetet dhe privilegjet që kjo organizatë e mirënjohur ndërkombëtarisht aplikon kurdoherë që është rasti i ngjashëm, kur ka konferenca të tilla”, tha Lamallari.

“Ministria e Brendshme ka marrë të gjitha masat për të garantuar një konferencë sa më të suksesshme”, tha Lamallari.

Komisioni për Politikën e Jashtme votoi unanimisht pro marrëveshjes.

Sakaq, marrëveshja ka 12 nene. Sipas dokumentit të publikuar në faqen e Kuvendit, ajo do të mbetet në fuqi për një periudhë prej një jave pas përfundimit të konferencës.

Sipas marrëveshjes “imunitetet dhe privilegjet e përcaktuara në këtë Marrëveshje do të sigurohen në territorin e vendit pritës, për kohën e nevojshme për organizimin, mbajtjen dhe plotësimin e Konferencës së 51-të Rajonale Evropiane. Autoritetet kompetente qeveritare të vendit pritës do të lejojnë të hyjnë dhe dalin nga territori i tyre për Konferencën e 51-të Rajonale Evropiane pjesëmarrësit e akredituar në këtë konferencë. Çdo vizë elektronike për personat pjesëmarrës në Konferencën e 51-të rajonale Evropiane do të lëshohet pa pagesë dhe sa më shpejt të jetë e mundur.

Privilegjet dhe imunitetet e parashikuara të kësaj Marrëveshjeje u jepen palëve të interesuara jo për përfitimin e tyre personal, por në interes të funksionimit normal të institucioneve të ICPO-INTERPOL-it. ICPO-INTERPOL, në përputhje me rregulloret dhe rregullat e saj, mund dhe duhet të heqë dorë nga këto imunitete sa herë që këto të fundit do të pengonin rrjedhën e drejtësisë dhe kur imuniteti mund të hiqet pa cenuar interesat e Organizatës. Në mënyrë të ngjashme, vendet anëtare mund dhe duhet të heqin imunitetet e përfaqësuesve të tyre përkatës sa herë që këta të fundit do të pengonin rrjedhën e drejtësisë dhe kur imuniteti mund të hiqet pa cenuar interesat e Organizatës.

Vendi Pritës do të marrë masat e duhura për të siguruar mbulim sigurimi për çdo dëm të shkaktuar personave të përfshirë ose që marrin pjesë në punimet e Konferencës së 51-të Rajonale Evropiane, si dhe çdo dëmtim të shkaktuar pa dashje në ambientet ose automjetet nga pjesëmarrësit në Konferencën e 51-të Rajonale Evropiane. Vendi Pritës do të kompensojë Organizatën, personelin e saj dhe delegatët për veprime, ankesa ose pretendime të tilla dhe për këtë arsye do ta lirojë atë nga çdo përgjegjësi./ata