Ministri i Brendshëm Taulant Balla tha sot se falë angazhimit të institucioneve ligjzbatuese, gjatë vitit 2024 ka patur një ulje të rasteve të aktiviteteve të paligjshme në fushën e emigrimit.
I pranishëm në Konferencën Ndërministeriale të vendeve të Ballkanit Perëndimor “Bashkëpunimi për Sigurinë dhe Flukset migratore përmes Ballkanit Perëndimor”, që po zhvillohet në Tiranë, Balla tha se asnjë vend në rajonin tonë nuk mund të trajtojë i vetëm sfidat e migracionit të paligjshëm.
Sipas tij, Konferenca nënkupton angazhimin e përbashkët për zgjidhjet bashkëpunuese në këtë drejtim.
“Angazhimi i vazhdueshëm i partnerëve ndërkombëtarë na jep besimin se duke punuar së bashku si rajon, ne mund të ecim më shpejt dhe më fort në ambicien tonë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, duke ndarë parimet e shtetit të së drejtës së bashku si një rajon. Dhe nëse ka një çështje të veçantë, ku ne të gjithë mund dhe do të bashkëpunojmë ngushtë, është menaxhimi i flukseve migratore”, tha Balla.
“Në vitet e fundit, Shqipëria së bashku me vendet e tjera të rajonit kanë mbrojtur vlerat dhe praktikën e bashkëpunimit rajonal, duke arritur rezultate të prekshme për qytetarët tanë, siç janë marrëveshjet me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut për lëvizjen e lirë, si dhe duke përballuar flukset migratore, nëpërmjet parandalimit të migracionit të parregullt me fokus sigurinë e kufijve, por edhe respektimin e dinjitetit njerëzor të migrantit”, u shpreh Balla.
Sa i takon luftës ndaj migracionit të paligjshëm në vendin tonë, Balla tha se “strukturat e Policisë së Shtetit të Republikës së Shqipërisë kanë punuar me përkushtim dhe këmbëngulje për parandalimin, identifikimin dhe adresimin e fenomenit të migrimit të parregullt ku përfshihen qytetarë nga vendet e përfshira në konflikt dhe më gjerë. Falë kësaj pune dhe bashkëpunimit me partnerët në periudhën Janar – Prill 2024, kemi vërejtur një ulje të përgjithshme të rasteve të aktiviteteve të paligjshme në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2023”.
Ai tha se bashkëpunimi me FRONTEX është një nga nga shtyllat kryesore të strategjisë për menaxhimin e kufijve dhe luftimin e migracionit të parregullt.
“Përmes partneritetit me FRONTEX, ne kemi arritur të rrisim ndjeshëm efektivitetin e operacioneve kufitare, të trajnojmë personelin tonë dhe të modernizojmë pajisjet dhe metodat e kontrollit kufitar. Ky bashkëpunim ka lejuar jo vetëm një vëzhgim më të mirë të kufijve, por edhe një përgjigje më të shpejtë dhe më të koordinuar ndaj çdo lëvizje të dyshimtë”, tha Balla.
Ai tha se lufta ndaj migracionit të paligjshëm kërkon më shumë akses në procedurat e azilit.
“Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë në nivel operacional, duke organizuar më shumë aktivitete hetimore dhe goditjen e rrjeteve të kontrabandimit, në nivel rregullator, duke përmirësuar kuadrin tonë legjislativ dhe duke zgjeruar bashkëpunimin me vendet e treta për ripranimin, por edhe duke përdorur platforma për të ndarë të dhëna në kohë reale për të dhënë zgjidhje të shpejta dhe efektive për sfidat e zakonshme”, tha Balla.
“Por nga ana tjetër duhet vlerësuar dhe realiteti aktual se shumë migrantë janë të detyruar të ndërmarrin rreziqe të jashtëzakonshme për shkak të rrugëve të kufizuara ligjore dhe mungesës së alternativave të qëndrueshme në vendet e tyre.
Për këtë arsye nevojat e atyre që mbërrijnë në kufijtë tanë duhet të adresohen me dinjitet dhe respekt”, u shpreh Balla.
“Kjo përfshin ofrimin e aksesit në procedurat e azilit, asistencën ligjore dhe shërbimet mbështetëse, si dhe promovimin e integrimit të tyre në shoqëri. Gjatë muajit shtator 2023 finalizuam me sukses në Tiranë Ministerialin e ministrave të Brendshëm të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit, nga punimet e së cilit më lejoni të sjell në vëmendjen tuaj se dakordësuam të kemi një qasje më të fortë në menaxhimin e integruar të kufijve, përfshi këtu zhvillimin e strategjive, bashkërendimin e mëtejshëm të nismave ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe nevojën për një mbështetje më të fortë nga BE, për fuqizimin e kapaciteteve, procesin e dixhitalizimit dhe sigurisë së kufirit dhe migracionit”, tha Balla.
“Domosdoshmëri mbetet edhe mbështetja e mëtejshme nga partnerët evropianë për ndërtimin e sistemeve të shkëmbimit të informacionit, veprimeve të përbashkëta dhe analizës së riskut për të monitoruar kufijtë në formë efektive dhe kontrolle të krimeve të kalimit kufitar”, u shpreh Balla.
Ministri Balla tha se Shqipëria po kthehet edhe një destinacion të rëndësishëm turistik. Sipas tij, në këtë kuadër duhet dhe një angazhim edhe më i madh për ruajtjen e sigurisë dhe qetësisë për turistët që zgjedhin Shqipërinë për të pushuar.
“Mbarëvajtja e një sezoni turistik të qetë dhe të sigurt për të gjithë turistët që kanë zgjedhur të vizitojnë vendin apo rajonin tonë, mbetet prioritare. Në këtë kontekst roli i autoriteteve të zbatimit të ligjit dhe institucioneve të tjera përgjegjëse për sigurinë dhe rendin publik është më jetik se kurrë. Ne duhet të vazhdojmë të punojmë së bashku, të ndajmë informacione dhe të koordinojmë përpjekjet në mënyrë që të jemi gjithmonë një hap përpara atyre që synojnë të cenojnë sigurinë tonë”, theksoi Balla./ata