Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja ka kallëzuar penalisht deputetin Flamur Noka.

 

Zyra për shtyp e Llatjes ka njoftuar se kallëzimi është bërë për shkak të aktivitetit të sotëm të Nokës dhe konkretisht bazuar mbi të dhënat e përplasjes së tij fizike në mjediset e qendrës së votimit 2474 në njësinë administrative Shirgjan.

 

Llatja në kallëzim akuzon Nokën se ka konsumuar element të veprës penale që prekin dhe cënojnë zgjedhjet e lira, duke kanosur dhe ushtruar dhunë verbale ndaj anëtarëve të komisionit të qendrës së votimit, me qëllim për t’i penguar në ushtrimin e detyrës së tyre.

 

Deputeti Flamur Noka është akuzuar se ka ofenduar komisionerët dhe ka tentuar të shtyjë kutitë e votimit në disa prej qendrave të votimit në Elbasan.

 

Sipas uniformave blu, ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:00, ku policia është njoftuar se në Qëndrat e Votimit të fshatrave Kuqan dhe Shirgjan,  deputeti Flamur Noka ishte futur në QV-në e fshtatit Kuqan dhe ka ofenduar komisionerët, ndërsa në qendrën e votimit në Shirgjan ka tentuar të shtyjë kutitë dhe është larguar.