Deputetja e Partisë Socialiste, Ermonela Felaj, gjatë punimeve në Komisionin për Çështjet Ligjore, u shpreh sot se ka ardhur momenti që Kuvendi t’i përgjigjet objektivave të qeverisë dhe drejtësisë që lidhen me luftën ndaj korrupsionit.
Deputetja Felaj, gjatë seancës dëgjimore me Kryeprokurorin Olsian Çela, u shpreh se sundimi i ligjit, mirëqeverisja, lufta ndaj korrupsionit, duhet të jenë objektiva edhe për Kuvendin e Shqipërisë.
“Kjo lloj dëgjese ne na ndihmon edhe në draftrezolutën që presim në fakt që opozita të shprehet pozitivisht, pasi nuk është e vërtetë që nuk ka një lëndë për Kuvendin, në rastin që Kuvendi kërkon t’i përgjigjet njësoj objektivave që kërkon ti plotësojë dhe qeveria, dhe Drejtësia. Sundimi i ligjit, mirëqeverisja, lufta ndaj korrupsionit, duhet të jenë objektiva dhe për Kuvendin e Shqipërisë. Kuvendi s’mund të jetë institucion periferik në luftën ndaj korrupsionit”, tha Felaj.
Nënkryetarja e Kuvendit u shpreh se edhe ligjet e Reformës në Drejtësi kanë problemet e tyre. Ndërkohë sa i takon Kodit Penal, Felaj tha se është dakord se duhet parë më shumë procedura penale.
“Ne kuptojmë që ligjet e Reformës në Drejtësi, apo dhe vetë reforma ndonëse kanë patur anë pozitive, nuk është e përsosur. Tanimë që ligjet po zbatohen dhe institucionet po përballen me zbatimin në praktikë të tyre, ka një sërë problemesh që s’mund të ngelemi të shurdhër ndaj tyre dhe të bëjmë sikur nuk i kuptojmë. Përkundrazi, ky është ai momenti që ne duhet të kuptojmë se ne duhet të jemi aktivë në këtë drejtim. Ne kemi patur diskutimet tona të brendshme si deputetë edhe për mënyrën e organizimit të dëgjesave. Mbase dëgjesa që bëhen në mënyrë holistike, të disa aktorëve bashkë, do të na ndihmonin edhe më shumë për konkluzionet, sugjerimet, që kuptohen edhe nën rreshta gjatë përgjigjeve tuaja”, tha Felaj.
“Natyrisht, nuk e shoh as unë se është emergjente ndryshimi i Kodit Penal, por mund t’ju them pse lindi ideja. Është një gjë rutinore që nëse një ligj, qoftë ky i cilësuar, pëson ndryshime në masën mbi 50%, i ka ardhur momenti të konfigurohet si ligj i ri. Edhe Kodi Penal ka pësuar ndryshime. Patjetër që ka dispozita që nuk reflektojnë kohën e sotme, krimet kibernetike për shembull, për mënyrën se si përshkruhen, si paraqiten në seksione të ndryshme të Kodit Penal, s’të japin mundësi të bësh diferencën e qartë mes tyre, kjo pasi dhe teknologjia ecën shumë shpejt. Ndoshta një ditë do të përballemi dhe me problemin e territorit dhe jurisprudencës, pasi krimi kibernetik ndodh në ambient abstrakt”, tha Felaj.
“Kodi i Procedurës Penale është më i nevojshëm, natyrisht edhe për shkak të Reformës në Drejtësi. Me ligjin e ri, u fut gjyqtari për hetimet paraprake. Kjo, a e ka ndihmuar procesin e një gjykimi dhe hetimi të shpejtë? Këto duhen analizuar e diskutuar”, përfundon Felaj./ata