Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj mori pjesë në takimin mbi “Thellimin e gjithanshëm të shtetbërjes si rruga e sigurtë edhe kundër korrupsionit”, me pjesëmarrjen e Kryeministri Edi Rama, që u zhvillua në Tiranë tek Piramida, Shtëpia e Biznesit.
 
Gjatë fjalës së saj, Ibrahimaj tha se kryefjala është inspektimi si shtyllë kryesore e marrëdhënieve mes shtetit dhe biznesit.
 
“Tre janë kolonat kryesore të këtij procesi: regjistrimi, licencimi; kolona e dytë, raportimi ndaj shtetit dhe kolona e tretë, inspektimet. Sa i përket dy të parave ne kemi bërë shumë punë në lehtësimin e procedurave që biznesi duhet të bëjë për regjistrimin licencimin, por ecuri pozitive kemi dhe sa i takon procesit të digjitalizimit të tyre me  qëllim që marrëdhënia mes shtetit dhe biznesit të jetë sa më e lehtë”, u shpreh Ibrahimaj.
 
Sipas saj, synimi është bashkëpunimi përmes sistemeve, për reduktimin e procedurave, lehtësimin e të bërit biznes dhe uljen e korrupsionit. “Gjithashtu edhe përmes digjitalizimit kemi ulur kohën e raportimit për biznesin. Por puna ka qenë e pamjaftueshme për kolonën e tretë, atë të inspektimeve”, theksoi ajo.
 
“Sot bizneset shqiptare duan të garantojnë standarde, konkurrencë të pastër dhe janë të bindur drejt vetë deklarimit dhe kulturës për të respektuar ligjin, sepse kështu do të kemi akses drejt BE dhe zhvillimit. Në këtë kontekst duam t’ju prezantojmë reformën që do të ndërmarrim në fushën e inspektimeve. Ku duam të ndërtojmë një sistem që është i bazuar në bashkëpunim, transparencë dhe vetëdeklarim dhe jo në penalizime. Kemi menduar që për vetëdeklarimin, inspektimet do të jenë të përqendruara drejt rritjes së performacën dhe kritereve të riskut. Duam të ndërtojmë një databazë me kriteret e riskut, ku çdo biznes do të ketë pikëzimin e vet dhe do ti shërbejë të gjitha inspektoriateve kjo databazë për të bërë planet e tyre të punës. Nga ana tjetër do të rrisim informimin e bizneseve për kriteret që duan të përmbushin. Pra jo gjobë po vetëm këshillim herën e parë. Ndërkohë do të ngremë Komisione apelimi të përbashkëta me përfaqësuesit e biznesit dhe të ndara nga trupat e inspektimit ku të dëgjohet zëri i tyre për çdo sqarim”, deklaroi Ibrahimaj./ata