Kryeinspektori i Përgjithshëm i Shtetit Shkëlqim Hajdari, tha sot se reformimi i sektorit të inspektimeve nuk do të ketë në fokus gjobën, por këshillimin. Ai paralajmëroi dhe reformim të sistemit të karrierës.
Në një aktivitet të zhvilluar tek Piramida, në Shtëpinë e Biznesit në Tiranë, ku ishte i pranishëm në aktivitetin për reformën e inspektimit, Hajdari tha se synohet që inspektori të jetë profesionist.
“Inspektimet me analizë risku, me dokumente standarde, me GPS, për gjithë inspektoratet shtetërore e kemi bërë në 2019-ën. Këtë sistem nuk e ka asnjë nga vendet anëtare të Bashkimit Europian. Pjesën e dytë, që po e bëjmë tani, lidhet me ndërtimin e sistemit të karrierave brenda inspektorateve, tek rekrutimi, dhe deri tek arritja në krye të inspektoratit qendor, këtë po e bëjmë tani, ku inspektorët do kthehen në profesionistë. Mund të kenë qenë berber, shitës shalqiri, por inspektor jo. Tani do të vijnë të konkurrojnë, kryesisht do jenë të fushës së inxhinierisë dhe do të ngrihen në detyrë mbi bazën e rezultateve, jo ndryshimeve, apo punësime klienteliste dhe të tjera si këto”, tha Hajdari.
“Për biznesin, masat administrative dhe gjobat mbi ju na kanë dhembur çdo ditë, një pjesë kanë qenë dhe abuzive, po bëjmë diçka në draftligj, që s’e ka as BE, as Japonia, të mos kemi gjobë, por këshillimi përmes lënies së detyrave dhe në rast se nuk plotësohen detyrimet, atëherë inspektorët do vënë gjobë. S’ka gjobë. Kjo do të shmangë abuzimin, korrupsionin etj.
“Ndërtesa shumëfunksionale, që na është premtuar nga kryeministri, shpresoj të bëhet gati”, tha Hajdari./ata