olicia e Shtetit njofton se ka neutralizuar një 40-vjeçar, i cili mbante peng dy fëmijët e tij të mitur në një apartament të marrë me qira tek zona e Shkëmbit të Kavajës.

Sipas njoftimit të Policisë, 40-vjeçari me inicialet A.M, banues në Lezhë, kishte marrë me qira një apartament në Durrës dhe mbante peng dy fëmijët e tij të mitur. Policia e Shtetit me t’u informuar ka nisur operacionin për ndalimin e tij dhe lirimin e fëmijëve. Në operacioni, mori pjesë dhe Reparti RENEA.

“Rreth orës 02:20, Policia e Durrësit është njoftuar se dëgjoheshin të shtëna me armë zjarri, në ambientet e një pallati, në një apartament të lëshuar me qira, pranë zonës së quajtur “Shkëmbi i Kavajës”. Menjëherë, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe nga veprimet e para rezultoi se banesa nga ku qëllohej me armë zjarri, ishte marrë me qira javore, nga shtetasi A. M., 40 vjeç, banues në Lezhë dhe se dyshohej se brenda saj ky shtetas mbante peng 2 fëmijët e tij të mitur, 6 dhe 11 vjeç”, njofton Policia.

“Policia e Durrësit kërkoi ndihmën e Repartit Special RENEA, pasi duhej ndërhyrje e specializuar për të mos rrezikuar jetën e fëmijëve në banesë dhe të punonjësve të Policisë. Në vendngjarje shkoi Reparti Special RENEA, i cili i bëri thirrje 40-vjeçarit që të dorëzohej, por ai vijoi të qëllonte nga dritarja e apartamentit”, vijon njoftimi.

“Pas disa orësh negociata, nga Njësia e Negocimit e Repartit RENEA, dhe me ndërhyrjen e specializuar të njësive të RENEA-s, në bashkëveprim me strukturat e DVP Durrës, nën masa të larta sigurie, u bë i mundur neutralizimi dhe kapja e shtetasit A. M., të cilit në banesë iu gjet një armë zjarri kallashnikov, një krehër me fishekë, si dhe 18 gëzhoja në brendësi të banesës”, bën të ditur Policia.

“Gjithashtu, Policia nxorri të 2 fëmijët, të cilët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe po iu jepet asistencë me psikologë. 40-vjeçari është shoqëruar në Polici, për veprime të mëtejshme procedurale. Për motivet që shtynë 40-vjeçarin në këtë ngjarje, policia pritet të ketë njoftime të tjera”, përfundon njoftimi./ata