Ministri i Brendshëm Taulant Balla u bën apel të gjithë qytetarëve të denoncojnë çdo rast dhune.
Ministri Balla, duke publikuar pamje nga operacioni policor i zhvilluar në orët e para të ditës së sotme nga Policia e Shtetit dhe RENEA, për neutralizimin e një 40-vjeçari që mbante peng fëmijët e tij në një apartament të marrë me qira tek Shkëmbi i Kavajës në Durrës, theksoi se, nuk mund të ketë asnjë justifikim ndaj dhunës.
“Mirënjohje Repartit RENEA dhe forcave të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës për zgjidhjen e një situate të vështirë, për shkak se një person qëllonte me armë nga banesa e tij, ku mbante edhe dy fëmijët e mitur, ndërsa bashkëshortja kishte një urdhër mbrojtje, për shkak të dhunës në familje”, shkruan Balla.
“Nuk mund të ketë asnjë justifikim ndaj dhunës – as në shtëpi, as në vendin e punës, as në jetën publike, as online. Askund! Kërko ndihmë në ️116117, Raporto në 129”, përfundon Balla./ata