Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takime të ndara ambasadorin e SHBA-së në Prishtinë Jeffrey Hovenier, atë të Gjermanisë, Jorn Rohde dhe ambasadorin e Britanisë së Madhe Jonathan Hargreaves.
Lidhur me këtë proces, presidentja sot ka biseduar edhe me ambasadorë të shteteve tjera aleate.
Gjatë ditës është bërë e ditur se presidentja Osmani nuk është konsultuar dhe dakorduar në lidhje me letrën e zotimit të Qeverisë për hartimin dhe dërgimin e draft-statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese.
“Presidentja Osmani do ta mbështesë çdo veprim në drejtim të realizimit të këtij synimi, në përputhje të plotë me interesat shtetërore dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Prandaj edhe po bën përpjekje që shtetet anëtare të binden që sa më parë që të jetë e mundur të thirret një seancë e jashtëzakonshme ku do të votohet pro anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë”, tha ai.
Ndryshe, pas letrës së dërguar nga Qeveria e Kosovës drejtuar Këshillit të Evropës, për t’i hapur rrugë anëtarësimit të Prishtinës në KiE, në një letër të përbashkët, kancelari gjerman Olaf Scholz, kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron i kanë thënë kryeministrit Albin Kurti se nuk do të pranohet kërkesa nëse nuk formohet asociacioni.
Në letër theksohet se “ekziston një rrezik real që pa progres vendimtar në asociacionit, aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk do të marrë mbështetjen e mjaftueshme nga shtetet anëtare”.
“Zoti kryeministër, le të jemi të qartë: Ekziston një rrezik real që pa progres vendimtar në A/CSMM, aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk do të merr mbështetjen e mjaftueshme nga shtetet anëtare. Përparimi tani përgjatë linjave të sugjeruara nga QUINT-i do të demonstronte përkushtimin tuaj ndaj të drejtave të pakicave, duke forcuar kështu pozitën e Kosovës dhe duke ri-energjizuar dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Kjo është mënyra e vetme për të siguruar suksesin e aplikimit tuaj. Veprimet dhe vendimet tuaja në këtë moment kritik do të jenë vendimtare për aspiratat e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Topi është në fushën tuaj. Ne besojmë sinqerisht në udhëheqjen tuaj.” /KosovaPress/