Kryeministri Edi Rama tha sot në fjalën e mbajtur në samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, se BE duhet të jetë garante për huat që merr rajoni i Ballkanit Perëndimor.
Sipas Ramës, kjo do të ishte kyçe dhe lehtësuese për vendet e rajonit për të aksesuar tek marrja e huave.
“Është kyç për ne, për të gjithë ne që të marrim ndihmë përmes një instrumenti të ri që do të lehtësojë nevojën tonë për të marrë më shumë hua duke u mbështetur me garanci të BE-së. Kjo është e bëshme dhe kjo do të ndryshojë tërësisht tablonë pasi, po, është shumë e rëndësishme që ne të marrim financime dhe nuk është gjë e vogël, për ne të paktën sepse janë para të rëndësishme, por në të njëjtën kohë nuk duhet të tallemi me veten apo me të tjerët”, tha Rama.
“Në kuadrin e Planit Ekonomik dhe të Investimeve kemi 90% hua dhe vetëm 10% grante. Kështu që është bota e anasjelltë, e përmbysur në raport me Bashkimin Europian që kanë vetëm 10% hua dhe 90% grante. E kuptojmë, po dhe nuk e diskutojmë, por do të ishte fantastike sikur me ndihmën e Bankës Europiane të Investimeve ne të mund të nxisim e të bindim BE-në që të garantojë për huat tona. Kjo do të ndryshonte çdo gjë dhe më lejoni të jem shumë i drejtpërdrejtë me ju. Në fund të fundit, siç na thoshin kur ishim fëmijë, të varesh ekonomikisht nga ju ka qenë praktikisht humbja e lirisë sonë për t’ju hequr qafe, kështu që garantoni huat tona dhe do të na keni tërë jetën pas vetes sepse do të na kërkoni, do vini pas nesh tërë jetën për të na kërkuar paratë mbrapsht. Kështu që, do të na duhet të qëndrojmë me ju”, u shpreh Kryeministri.
Sipas tij, “do të ishte shumë mirë kjo për brezin e ardhshëm në Europë ku shpresoj jo, por shumë prej jush mund të doni të largoheni por ne, ballkanasit do të mbetemi besnik të Bashkimit Europian a ndoshta do të bëhemi qendra për brezin e ardhshëm të Bashkimit Europian. Do të kemi disa telashe për të vendosur se ku do të jetë Brukseli ynë, por pjesa tjetër do të jetë në rregull”.
Ky takim rajonal po zhvillohet nën logon “Një rajon, vizion i përbashkët”, pason takimet e mëparshme të këtij niveli mes liderëve, në Tiranë dhe në Shkup, ku është diskutuar gjerësisht mbi Planin e Rritjes, që synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor./ata