Kryeministri Edi Rama theksoi sot se me futjen e Shqipërisë në sistemin SEPA, shqiptarëve që jetojnë si qytetarë në vendet e BE-së kur të lëvizin paratë e tyre drejt Shqipërisë do t’u kursehen dhjetëra-miliona euro në vit.
Në konferencën me gazetarët në Kotorr të Malit të Zi, Rama tha se ka një paketë financiare të konsiderueshme, 6 miliardë euro, e cila do të ndahet mes vendeve, bazuar në reformat.
Kreu i qeverisë u shpreh se “po jap një shembull të thjeshtë bazuar në mekanizmat e tjerë vetëm për shkak se ne jemi thuajse gati dhe do të prezantojmë në tryezën e BE-së me të gjitha dokumentet e nevojshme kërkesën që të hyjmë në sistemin SEPA, të gjitha transfertat e parave të shqiptarëve nga BE-ja në Shqipëri, të cilat janë shumë më të kushtueshme sesa ato mes vetë vendeve të BE-së do të jenë njësoj si brenda BE-së, që do të thotë se vetëm nga ky integrim, shqiptarëve që jetojnë si qytetarë në vendet e BE-së kur të lëvizin paratë e tyre drejt Shqipërisë do t’u kursehen dhjetëra-miliona euro në vit”.
Rama shtoi se “sot praktikisht dakordësuam dokumentet individuale të secilit vend, për të gjitha reformat e Planit të ri të Rritjes. Nga sot fillon zbatimi, nga sot fillon edhe mundësia e lëvrimit të parave. Do të mbeten në xhepin e tyre dhjetëra-miliona euro që sot i marrin bankat si ekstra komision, për shkak se këto para dalin jashtë BE-së”./ata