Bashkimin Evropian e vlerëson si mjaft të rëndësishme ngritjen e Zyrës për Rikuperimin e Aseteve të Vendosura nga Krimi, vendim i marrë pak ditë më parë nga qeveria, me propozim të Ministrisë së Brendshme.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, tha sot se kjo zyrë, por edhe pr/ligji që po hartohet për Policinë e Shtetit, janë mjaft të rëndësishme në luftën ndaj krimit të organizuar, rendin dhe sigurinë.

Gonzato, ishte të enjten pranishëm në tryezën koordinuese me donatorët të zhvilluar në Tiranë. Takimi kishte në fokus përmbledhjen e prioriteteve në fushën e rendit dhe sigurisë.

“Jemi të kënaqur që ju mirëpresin sot, së bashku me z. Balla, për të diskutuar për prioritetet në fushat kyçe në rrugën e Shqipërisë drejt aderimit në Bashkimin Evropian. Këtu përfshihet lufta ndaj krimit të organizuar, rendi publik, siguria, manaxhimi i integruar i kufirit dhe emigrantëve”, tha Gonzato në fillim të fjalës së tij.

“Partnerët e BE dhe përtej BE-së, bashkohen në përpjekjet për ndërmarrjen e reformave për zbatimin e ligjit dhe shtetit të së drejtës, që përfshijnë standarde, parktika, që krijojnë një shtet më të sigurtë dhe që ofron siguri për të gjithë qytetarët e tij dhe ku respektohen të drejtat e njeriut. Një vend më i sigurtë, thith më shumë investitor dhe ushqen zhvillimin ekonomik të vendit”, vijoi Gonzato.

Duke folur për sfidat që përballet Shqipëria, Gonzato tha vendi ynë është një zonë me risk sa i takon pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Për këtë, tha Gonzato, duhet bashkëpunim më i gjerë me shoqërinë civile dhe jo vetëm.

“Vlerësimi i rrezikut për financimin e terrorizmit dhe pastrimin e parave në vitin 2023, Shqipërinë e identifikon si zonë me rrezik të lartë dhe për këtë, lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit kërkon koordinimin e shumë aktorëve nga shoqëria civile dhe të aktorëve të tjerë.

Ngritja e një komiteti, grupi pune ndërinstitucional për vendosjen e një strategjie për luftën ndaj terrorizmit dhe pastrimit të parave dhe ndjekjen e rekomandimeve të dhëna në vitin 2023 në vlerësimin e riskut, është një qasje e integruar që sjell rezultate shtesë”, tha Gonzato.

“Ligji për rikuperimin e aseteve të krimit, që ju përmendet z. Ministër, po diskutohet me shërbimet përkatëse dhe zyra që do të themelohet së shpejti dhe me axhendën e reformimit që është rënë dakord mes BE dhe Shqipëri, dhe është një hap i rëndësishëm në luftën ndaj krimit të organizuar.

Pr/ligji për Policinë e Shtetit është një tjetër hap i rëndësishëm, që synon rritjen në karrierë në bazë të meritave në Policinë e Shtetit. Rritja e besimit të qytetarëve në shtet, tek shteti shqiptar, është po ashtu e rëndësishme. Ne mirëpresim një sistem paralajmërimi të hershëm për substancat narkotike dhe në bashkëpunim me agjencinë kundër narkotikëve dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe asaj të Brendshme dhe paraqet rëndësi të madhe”, tha Gonzato.

“Këto sfida kthehen në mundësi për shoqëritë tona, sjellin një mbrojtje të drejtë për njerëzit në nevojë. Kyç, – tha ai, – mbetet zbatimi i ligjeve. Ne mbështesim Shqipërinë dhe me fonde edhe me ligje. Kërkojmë koordinim të asistencës së donatorëve përmes një raportimi të rregullt gjithëpërfshirës për të gjitha strategjitë ndërsektoriale. Kjo do të rrisi përgjegjshmërinë dhe transparencën e fondeve të Shqipërisë dhe do  të mundësojë përmirësimin e planifikimit të donatorëve. Jemi të gatshëm të zhvillojmë një bashkëpunim të ngushtë me ju, z. Ministër.”

Në tryezë do të mbajnë fjalë ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, zv.shefi i Misionit në detyrë i Ambasadës amerikane, Kathryn Hammond etj./ata