Kryesuesja e Delegacionit të përhershëm në Asamblenë Parlamentare të NATO-s Mimi Kodheli, e ftuar në emisionin Kjo javë në News 24 ka komentuar faktin që Kosova u bë anëtare e asociuar e Asamblesë Parlamentare të NATO-s.
Kodheli theksoi se të bërit punë për Kosovën e ka pasur amanet nga babai i saj. Ajo tha se delegacioni serb punoi kundër në mënyrë të frikshme, por se e drejta është në anën e shqiptarëve.
Mimi Kodheli: Jam modestisht krenare për këtë arritje. Kam qenë anëtare e Byrosë së Asamblesë së NATO-s. Byroja ka vetëm 8 vetë. Janë 8 vetë për të gjithë Aleancën e Atlantikut të Veriut. Kjo do të thotë se kam qenë prezent kur kjo është diskutuar në fillim të herës, pasi të gjitha delegacionet morën letër nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. Ka pasur diskutim të fortë me vendet që nuk e njohin Kosovën. Ndonjëherë di të jem edhe e ashpër në debate me kolegët e mbase kjo ka bërë të mundur që të ishte momenti kyç i dhënies të shtytjes pozitive. Ne në Talin morëm vendim paraprak.
Bëmë rihapje të fushatës, për të mundësuar një rivotim me votat 50 plus një. Në Sofje delegacioni serb punoi kundër në mënyrë të frikshme. Ata kishin ardhur me 13 vetë dhe ne ishim pak për t’u përballur me ta. Por ne jemi nga ana e të drejtës. Duke qenë në anën e të drejtës, Zoti të ndihmon që gjërat shkojnë në vendin e duhur. Besoj se jam krenare. Ky është amanet që mbase kam pasur edhe nga babai im. Im atë ka punuar në vitet 1980 që kjo ditë të vijë, për shkak të detyrave që ka pasur. Kam marrë kompliment edhe nga kolegu demokrat i delegacionit, z Bujar Leskaj./BalkanWeb