Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj tha se, “marrëveshja ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë në fushën e sigurimeve shoqërore, i hap rrugën të përfitojnë mundin dhe djersën të gjithë shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Itali.

Duke marrë fjalën në Kuvend, Denaj tha se, “kjo është një arritje që vjen pas një pune të madhe për më shumë se një dekadë”. Ajo e cilësoi marrëveshjen të një rëndësie të madhe ku veçoi se edhe marrëveshja me Kanadanë apo vende të tjera, është meritë e punës këmbëngulëse të qeverisë socialiste.

“Kjo marrëveshje garanton që asnjë qytetar nuk humbet asnjë ditë kontribute, pavarësisht vendit ku ka punuar, duke mundësuar kështu plotësimin e kushteve ligjore për përfitimin e pensionit në të dyja vendet. Qytetarët përfitojnë sigurime për pleqërinë, invaliditetin dhe pensionin familjar; sigurimin për përfitimin për sëmundjet dhe barrëlindjet dhe sigurimin e papunësinë”, tha Denaj.

Ajo theksoi se, çdo person ka të drejtë të tërheqë përfitimin e siguruar, pension të pjesshëm minimalisht për 15 vitet e punës dhe pension të plotë maksimalisht për 36 vite e 8 muaj punë.

Gjithashtu, vuri në dukje Denaj, nëpërmjet kësaj marrëveshjeje harmonizohen legjislacionet kombëtare të të dyja vendeve, si dhe reflektohen të gjitha rregullat për koordinimin e skemave të sigurimeve shoqërore.

“Dua të kujtoj se për të përfituar pension, si për personat që jetojnë në Shqipëri, ashtu edhe ata që jetojnë jashtë vendit duhen minimalisht 15 vite pune. Ndërsa për të përfituar pension të plotë pleqërie duhen 36 vite e 8 muaj pune. Të gjitha vitet e punës që njihen si vjetërsi pune, për efekt pune llogariten që nga mosha 16 vjeç, si për burra ashtu edhe për gratë, pavarësisht sektorit ku kanë punuar”, u shpreh Denaj.

Denaj sugjeroi se diskutimi në raport me skemën e pensioneve duhet të shikohet, edhe në aspekt të rritjes së kontributeve edhe të mbështetjes buxhetore, e cila nuk është pak, por është një kontribut i rëndësishëm i buxhetit të shtetit dhe duhet që skema të tejkaloj këtë vështirësi të mbështetjes.

“Por ne të gjithë bashkë si deputetë dhe nuk po flas si përfaqësuese e qeverisë, në të gjithë zonat tona duhet të ndihmojmë të tejkalojmë një problem mentaliteti të deklarimit dhe formalizimit dhe të nxisim të gjithë të fillojmë të mendojmë sot, se si të tejkalojmë problemet e formalizimit të kontratës së punës apo të deklarimit të plotë të pagës. E këtu, një thirrje të veçantë do ia kërkoja kolegëve të mi deputetë në zonat rurale, ku përtej faktit që ankohen se sa të vogla janë kontributet në aspektin e pensioneve në zonat rurale, të ndihmojnë që këtu në veçanti, jo vetëm reforma e pensioneve të ketë një vëmendje të theksuar në rishikimin e saj, por të ndihmojmë në punën tonë të përditshme si deputet, që të gjithë fermerët të vlerësojnë kontratën. Atë që lidh punën e tyre me sigurimet shoqërore, sikurse kontratën që lidh punën e tyre me mundin dhe djersën e përditshme të produkteve që nxjerrin në treg”, tha ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

“Kjo marrëveshje është jo vetëm për atdhetarët tanë në Itali dhe për qytetarët shqiptar, të cilët kanë punuar dhe kanë derdhur kontribute në shtetin italian dhe kanë zgjedhur të kthehen në Shqipëri. Nëpërmjet kësaj marrëveshje i japim të gjithë shtetasve shqiptar një të drejtë të barabartë, njohjen e të gjitha viteve të punës dhe kontributeve të derdhura në skemën e sigurimeve shoqërore. Të dyja palët, si ajo shqiptare dhe italiane janë ulur në tryezë me vullnetin e plotë për të njohur qytetarët e të dy vendeve me të drejtën themelore atë të sigurimeve shoqërore të njohur në Nenin 22 të Deklaratës për të Drejtat e Njeriut. Kjo është një tjetër nisëm e qeverisë shqiptare e përmbyllur me sukses dhe është njëkohësisht një element shumë i rëndësishëm për t’u theksuar që përgjatë vitit të kaluar një nisëm tjetër, ku unë kam qënë dëshmitare si pjesë e grupit të miqësisë Shqipëri- Greqi, kryetare e atij grupi miqësie bashkë me disa kolegë deputetë”, vijoi Denaj.

“Të mos kapemi pas diskutimeve politike, por të gjithë bashkë për herë të parë të bëhemi shqiptarë, të ndjejmë emrin e Shqipërisë dhe flamurin tonë edhe nëpërmjet këtij elementi kaq të rëndësishëm, vlerësimi për emigrantët, për punën, sakrificën e tyre për të cilët ne të gjithë e dimë, sepse të gjithë kemi familjarë më shumë se sa kanë vuajtur për t’a rinisur gjithmonë nga e para, ndoshta nga një vend tek tjetri, e për të cilën sot në këtë foltore do të flasim vetëm për ta dhe me një festë për të gjithë ne që ia arritëm dhe së shpejti do t’ia arrijmë edhe për Greqinë”, përfundoi Denaj./ata