Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi sot raportin mbi gjetjet kyçe të procesit të këqyrjes paszgjedhore të fletëve të votimit, materialit zgjedhor dhe pajisjeve të votimit dhe numërimit elektronik (PEVN), të përdorura në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të 14 majit 2023 dhe për zgjedhjet për kryetar të bashkisë Kukës të 24 shtatorit 2023.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi tha se “këqyrja paszgjedhore synon të vlerësojë rregullsinë dhe saktësinë e veprimtarisë së administratës zgjedhore, duke përfshirë numërimin e votave dhe administrimin e procesit për çdo qendër votimi”.

Procesi i këqyrjes paszgjedhore për zgjedhjet e datës 14 maj u zhvillua nga data 6 në 26 nëntor 2023, ku u verifikuan 526 qendra votimi, përfaqësuese e 10% të totalit.

Për bashkinë Kukës, në kuadër të zgjedhjeve të pjesshme për kryetarin e bashkisë, të njëjtat QV të përzgjedhura për këqyrjen në kuadër të zgjedhjeve të përgjithshme vendore të 14 majit 2023 iu nënshtruan verifikimit edhe për zgjedhjet e datës 24 gusht 2023.

Celibashi sqaroi se për këqyrjen e fletëve të votimit dhe materialeve të votimit për 526 QV-të u ngritën 8 grupe për këqyrje, të cilët vlerësuan dhe plotësuan procesverbalet përkatëse për administrimin e informacionit.

Sipas tij, të dhënat e pasqyruara në procesverbalet përkatëse të këqyrjes u përpunuan dhe u analizuan.

Në kuadër të procesit të analizës së gjetjeve, u konstatuan shkelje administrative.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve vendosi t’i kërkojë Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve vendosjen e sanksioneve administrative ndaj 28 anëtarëve të Grupeve të Numërimit të Votave përgjegjës për shkeljet e konstatuara nga këqyrja.

Gjithashtu, Komisioneri plotësoi vakancat e krijuara në Këshillin e Bashkisë Durrës, me kandidatin nga lista shumemërore e subjektit Partia Socialiste e Shqipërisë, Periana Kotri dhe në Këshillin e Bashkisë Vau-Dejës, me kandidatin nga lista shumemërore e subjektit Partia Socialiste e Shqipërisë, Majlinda Ndreca./ata