Deputeti i Partisë Socialiste Eduard Shalsi prezantoi sot në Kuvend disa ndryshime dhe shtesa në aktin normativ për “Privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”.

Duke iu përgjigjur shqetësimeve të paraqitura nga opozita mbi këto ndryshime, Shalsi i ftoi deputetët e opozitës që të përdorin mekanizmin e monitorimit të ligjeve pasi miratohen, për të parë se çfarë do të ndodhë me këtë akt.

Sipas tij, kishte ardhur koha për një ndryshim të tillë ligjor i cili përcakton se çfarë do të ndodhë me objektet e amortizuara.

“Në momentin që një pronë privatizohet apo është në proces privatizimi ajo pronë ka disa objekte të amortizuara të cilat në të kaluarën janë prishur me akte ad hoc. Ne po synojmë me këtë propozim që në momentin që është dhënë një leje zhvillimore mbi një territor në të cilin ekzistojnë objekte, pavarësisht se sa të amortizuara janë ato, këto objekte të rivlerësohen, të prishen nga zhvilluesi i projektit dhe të kompensohen në vlerë financiare”, tha Shalsi.

Shlasi u shpreh se bëhet fjalë për prona shtetërore që kanë humbur dobinë e tyre dhe nuk i shërbejnë më interesit publik.

“Pasi është marrë vendimi për t’u privatizuar dhe është lidhur kontrata, investitori duhet të bëjë investimin dhe objektet në atë territor duhen prishur. Kjo duhet të bëhet mbi bazën e një akti. Në këtë mënyrë ne kompletojmë procesin dhe i japim zgjidhje një problemi të mbartur që kurrë nuk ka marrë përgjigje”, tha Shalsi./ata