Sekretari për burimet njerëzore dhe koordinimin dixhital në Partinë Demokratike, Endri Hasa u shpreh sot në një deklaratë për mediet se prej 10 ditësh në vend janë bllokuar shërbimet më të rëndësishme elektronike.

Sipas tij,  PD kërkon nga institucionet përkatëse të nxisin hetim për këtë situatë e cila ka efekte të mëdha ekonomike në xhepat qytetarëve dhe bizneseve

“Bllokimi dhe mosfunksionimi i sistemit të firmës elektronike prej mëse 10 ditësh ka bërë që shumica e sistemeve më të rëndësishme për shërbimet ndaj qytetarëve dhe biznesit të mos funksionojnë”, u shpreh Hasa.

Sipas tij, çdo veprim i mjekëve në qendrat shëndetësore për lëshimin e raporteve dhe recetave elektronike është i bllokuar duke paralizuar edhe furnizimin me barna të shumë pacientëve.

“Çdo veprim për të gjitha regjistrimet dhe ndryshimet në shoqëritë tregrare apo personat fizik si dhe çdo veprim tjetër pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit është i bllokuar duke sjell vonesa në aplikim dhe në shumë raste penalizime me gjoba për qytetarët dhe bizneset”, tha Hasa duke vënë në dukje se edhe veprimet e Kadastrës në e-albania apo zyrave noteriale janë të bllokuara.

“Parita Demokratike po e ndjek me shumë vëmendje dhe seriozitet të gjithë këtë situatë dhe siguron qytetarët se do të ndjek çdo hap ligjor të nevojshëm për të mbrojtur interesin e qytetarëve”, përfundoi Hasa./ata