Departamenti Antikorrupsion në PD ka bërë transparente, shifrat e shpenzimeve për dieta e bileta të Qeverisë Rama në këto dy vitet e fundit, që kanë ardhur me rritje nga viti në vit e megjithatë, deklarohen gati trefish më pak se ç'janë në të vërtetë.
Zëdhënësja e PD, Genta Vangjeli, duke publikuar faktet, bëri thirrje se kjo situatë abuzimi duhet hetuar.
"Në analizën vjetore të APP-së për 2023 janë pasqyruar shpenzimet për blerjen e biletave të transportit ajror ndërkombëtar.
Sipas këtij institucioni për vitin 2022 vlera totale e shpenzuar për bileta ishte 2.9 milion euro ndërsa për vitin 2023 vlera totale ishte 3.6 milion euro ose 25% më shumë.
Të dy këto shifra fshehin fluturimet dhe shpenzimet lidhur me to të zyrtarëve të Ramës.
Partia Demokratike bën me dije publikun se shpenzimet fundore për dieta e blerjen e biletave të transportit ajror për vitin 2022 kapin vlerën totale të 8.1 milion euro
Për vitin 2023 kjo vlerë shkon në 9.5 milion euro ose 18% më shumë.
Vlerat e paraqitura në raportin e APP janë pothuaj 3-fish më të ulëta se vlerat reale të regjistruara periodikisht në publikimet e shpenzimeve për blerje të biletave dhe udhëtimet jashtë vendit.
Sikurse vërehet shpenzimet reale nuk përkojnë me vlerat totale sipas raportit të APP-së.
A janë këto rezultate veprime të kryera për shkaqe të mungesës së disiplinës profesionale apo veprime të kryera me dashje për të fshehur shpenzimet abuzuese e pa kriter të qeverisë që na drejton? Kjo duhet hetuar ….
Për parimin e transparencës as nuk po flasim sepse kjo qeveri dhe administrata e saj e konsiderojnë një fjalë boshe që kërkohet nga Brukseli, por nuk ka vlerë në Shqipëri", tha ajo./OraNews