Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko priti në një takim kortezie në Bankën e Shqipërisë, ambasadoren e re të Japonisë në vendin tonë, Kikuko Kato.
Gjatë këtij takimi, Guvernatori Sejko i shprehu mirënjohjen ambasadores Kato për marrëdhëniet e mira midis dy vendeve, duke vlerësuar ndihmat e dhëna nga Japonia ndër vite për Shqipërinë, si dhe shprehu besimin se bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Japonisë do të vijojë të thellohet.
Ata biseduan rreth perspektivave potenciale të bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve, në fusha si: shkëmbimet tregtare, zhvillimi i teknologjisë së informacionit, infrastruktura, etj.
Gjatë bisedës, Guvernatori Sejko e njohu bashkëbiseduesen me panoramën ekonomike në Shqipëri, ku theksoi se pavarësisht situatave sfiduese, ecuria ekonomike në vend paraqitet e qëndrueshme dhe me tregues mjaft të mirë.
Guvernatori Sejko theksoi se fokusi i politikave ekonomike gjatë kësaj periudhe ka qenë i orientuar drejt ruajtjes së stabilitetit të çmimeve, duke përshtatur qëndrimin e politikës monetare, si një parakusht për ruajtjen e stabilitetit financiar të vendit tonë dhe garantimin e stabilitetit të çmimeve në vend.
Më tej, Guvernatori Sejko u shpreh se politika monetare e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka ndihmuar në ruajtjen e një niveli të ulët inflacioni, ku për muajin prill arriti në vlerën 2.1%.
Ai shtoi se, pavarësisht sfidave, parashikimet e Bankës së Shqipërisë vlerësojnë se ekonomia shqiptare do të vijojë të shënojë rritje.
Lidhur me sektorin bankar, Guvernatori theksoi se ai është i mirëkapitalizuar, solid dhe me tregues të mirë të likuiditetit dhe shëndetit financiar.
Guvernatori Sejko theksoi se falë reformave të ndërmarra ndër vite nga Banka e Shqipërisë është bërë i mundur reduktimi i kredive me probleme nga bilancet e bankave, të cilat aktualisht janë në nivelin 4.64%.
Reformat e ndërmarra kanë ndikuar gjithashtu në rritjen e shpejtë, të qëndrueshme dhe të shëndetshme të kredisë bankare.
Ambasadorja Kato vlerësoi punën e bërë nga Banka e Shqipërisë në drejtim të përballimit me sukses të sfidave dhe garantimit të stabilitetit financiar në vend. Gjithashtu, ajo u ndal në progresin që Shqipëria ka bërë në kuadër të procesit të integrimit evropian.
Bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve midis dy vendeve në funksion të nxitjes së investimeve të huaja në Shqipëri, sidomos në fushën e teknologjisë. Ndaj krijimi i kushteve sa më të mira për investitorët mbetet një synim i rëndësishëm për zhvillimin dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare.
Në përfundim, ata ndanë të njëjtin mendim mbi perspektivat për rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit dhe ndërmarrjen e projekteve të përbashkëta në të ardhmen./ata