Në kantierin e segmentit rrugor Thumanë-Kashar, ndër më të rëndësishmit e Korridorit Blu, po punohet me ritme të shpejta për të siguruar përfundimin e këtij aksi më 30 qershor, përmes të cilit lehtësohet ndjeshëm qarkullimi i automjeteve.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku së bashku me Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli, ndoqën nga afër ecurinë e punimeve.
Balluku bëri të ditur se tashmë gjurma është e hapur dhe të gjithë qytetarët banesat e të cilëve ndodheshin në gjurmët e rrugës, janë trajtuar sipas legjislacionit.
“Për 6 shtëpitë e fundit që kishin mbetur, pavarësisht se ishin të palegalizuara banorët po trajtohen me bonus qiraje deri në momentin që bashkia e Vorës do t’i akomodojë në shtëpi sociale. Zhurma e ditëve të fundit ishte përdorim politik ”, tha Balluku.
Thumanë – Kashar ka një gjatësi prej 21 kilometrash dhe aktualisht punimet janë përqendruar në 3 kilometrat e fundit të kësaj vepre, pasi mbi 18 km janë asfaltuar.
Korridori Blu ka disa segmente. Ky është segmenti i parë që qeveria do të dorëzojë, ndërsa është në fazë negocimi për sa i përket dy segmenteve të tjera Kashar-Lekaj dhe më pas Lekaj-Fier. Ndërkohë po punohet për të hapur garën për Milot-Balldren. Edhe loti nga Thumana deri në Milot është në fazë negocimi.
Thumanë – Kashar përmban disa vepra arti, 11 ura 105 tombino, 6 mbikalime dhe 6 nënkalime, si dhe ndërtimin e dy nyjeve të mëdha me dalje në aeroportin e Rinasit dhe nyjën e Kasharit ku bëhet edhe lidhja me aksin rrugor Tiranë-Durrës./ata