Kursi i këmbimit është shfaqur i qëndrueshëm gjatë katër muajve të parë të këtij viti, bëri të ditur Banka e Shqipërisë.

Sipas BSH-së, kursi euro/lek rezultoi mesatarisht 103.9 në muajt janar dhe shkurt, nga 102.8 që ishte në muajin dhjetor 2023.

Pasi u luhat rreth këtij niveli në gjysmën e parë të muajit mars, kursi filloi të bjerë në javët që pasuan.

Gjatë muajit prill, ai rezultoi mesatarisht 101.5 lekë.

Ky mbiçmim është në linjë me sjelljen sezonale të kursit, por mbiçmimi i vërejtur

gjatë katër muajve të parë të këtij viti ishte më i ulët se ai i regjistruar në të

njëjtën periudhë të një vitit më parë.

Ndryshimi vjetor i kursit eur/lek është moderuar gjatë muajve të parë të këtij viti, duke zbritur në 9.7% në prill, nga 10.6% që ishte në muajin dhjetor të vitit të kaluar.

Banka e Shqipërisë thekson se, “situata në tregun valutor ka qenë përgjithësisht e qetë gjatë katër muajve të parë të vitit. Vëllimet e tregtimit kanë vijuar të jenë të larta dhe spread-et bid/ask kanë rezultuar përgjithësisht brenda intervalit normal të tyre”.

Megjithatë, vëren Banka Qendrore, mbiçmimi i lekut gjatë javëve të fundit është shoqëruar me episode të rritjes së spread-eve të kuotimit dhe të luhatshmërisë në treg, duke dëshmuar se ndjeshmëria e agjentëve të tregut ndaj luhatjeve të kursit të këmbimit mbetet e lartë.

Sipas BSH-së, ecuria e kursit të këmbimit të lekut ndaj dollarit amerikan ka reflektuar si forcimin e dollarit kundrejt euros në tregun ndërkombëtar, ashtu edhe dobësimin e kësaj të fundit në tregun vendas./ata