Ministri i Jashtëm i Türkiyes, Hakan Fidan deklaroi se dënojnë ata që u japin vazhdimisht mësim të tjerëve për të drejtat e njeriut dhe të cilët janë bashkëpunëtorë në krimin e kryer në Gaza nga Izraeli.
Fidan foli në konferencën e përbashkët për media pas takimit me ministrin e Jashtëm të Pakistanit, Mohammad Ishaq Dar në Islamabad të Pakistanit. Ministri turk shpjegoi se në takim u diskutua mbi zhvillimet rajonale dhe globale si dhe u diskutuan në mënyrë gjithëpërfshirëse edhe për palestinezët në Gaza.
Duke bërë të ditur se kanë shkëmbyer mendimet lidhur me punimet e kryera për përfundimin e katastrofës humanitare që vazhdon në Gaza, Fidan tha se "Izraeli ka tejkaluar të gjitha vijat e kuqe të ndërgjegjes njerëzore dhe ligjit ndërkombëtar".
"Izraeli e ka çuar të gjithë rajonin drejt shkatërrimit dhe luftës me kërkesën e fitores totale", tha Fidan i cili shtoi se Türkiye dhe Pakistani kanë qëndrim të përbashkët, përballë krimeve njerëzore në Gaza.
Pasi theksoi se koordinimi i ngushtë do të vazhdojë në Kombet e Bashkuara (OKB), Organizatën e Bashkëpunimit Islam (OBI) dhe në platforma të tjera ndërkombëtare, Fidan tha se: "Do të tregojmë të gjitha përpjekjet tona të mundshme duke përdorur të gjitha mjetet e diplomacisë. Gjithmonë e kemi thënë se vazhdimi i kësaj lufte nuk do ishte i mundur po të mos kishte mbështetje politike dhe ushtarake për Izraelin".
"Dënojmë ata që u japin vazhdimisht mësim të tjerëve për të drejtat e njeriut dhe për demokracinë dhe të cilët janë bashkëpunëtorë në këtë krim të kryer (në Gaza nga Izraeli). Në pikën e arritur, komuniteti ndërkombëtar duhet të fokusohet në zgjidhjen me dy shtete duke marrë mësim edhe nga përjetimet në të kaluarën në konfliktin Izrael-Palestinë", tha Fidan.
"Nga këtu bëj thirrje edhe një herë që vendet të cilat ende nuk e kanë njohur Palestinën, që në emër të drejtësisë dhe të drejtës ta njohin atë sa më shpejt të jetë e mundur Palestinën si dhe që vendet të cilat bëhen mburojë ndaj krimeve të kryera nga Izraeli, të kthehen tashmë nga ky gabim para se të jetë tepër vonë", tha kryediplomati turk./aa