Pas shumë mbledhjesh me debate dhe tensione, opozita dhe mazhoranca kanë zhbllokuar punën në Komisionin Hetimor për PPP në Shëndetësi duke miratuar këtë të martë planin e vizitave për dy javë.

Duke nisur nga kjo e premte do të vijojnë me vizitat në spitalin e Durrësit, më pas te Trauma. Vizita do të ketë edhe në spitalin e Vlorës, Lushnjës dhe Shkodrës.

“Këtë të premte të bëhet një vizitë në Durrës në spitalin e Durrësit. Më tej do vendosim për vizita në dy qendra shëndetësore apo në laborator.  E gjithë disa do fokusohet në Durrës. Të martën të bëhet një vizitë te spitali i Traumës. Po ashtu do diskutojmë nëse do vizitojmë në të njëjtën rrugë një qendër shëndetësore dhe një laborator. Fundjavën që vjen në Vlorë, Lushnjë dhe Shkodër. Në fund të javës që vjen shpresoj që ti kemi ezauruar. Jeni dakord që për këto dy javë të fokusohemi te vizitat në terren. Të gjithë dakord”, tha kryetarja e komisionit hetimor Albana Vokshi.

Po ashtu me konsensus u vendos që seancat dëgjimore do të nisin në datën 3 qershor. Dëshmitarët e parë që do të thirren në radhë janë grupet e auditit të KLSH e më pas Nisma Thurje, e cila ka bërë një kallëzim në Prokurorinë e Posaçme për kontratën e shërbimit të sterilizimit. Në vazhdim do të mbahen dëgjesa të tjera sipas listës së dëshmitarëve të miratuar në Planin Hetimor.

"Sa i përket planit të dëgjesave. Sa kohë ende ka një ngërç në përcaktimin e objektit me kryesinë e vogël ne propozojmë që dëgjesat të fillojnë në 3 qershor. Të nisim ditën e hënë më datë 3 dëgjesat me anëtarët e grupeve të auditit të KLSH. Pra do t’i lëmë të gjithë ditën e hënë. PS ka propozuar disa emra të personave që kanë qenë pjesë e auditit të të gjithë raporteve që kanë të bëjnë me koncesionet e sterilizimit dhe check up. Të hënën do t’i lihet KLSH, ndërkohë që të martën do ftojmë Nismën Thurje që është dhe kallëzuesi në SPAK. Lista e propozuar e dëshmitarëve si nga opozita dhe maxhoranca është e gjatë. Ditët në vijim mund të kemi punë intensive kur të fillojnë dëgjesat. Do jetë e përditshme sepse kemi shumë dëshmitarë se bëhet fjalë për dy koncesione", shtoi Vokshi.

Mazhoranca dhe opozita nuk kanë gjetur ende dakordësi për shtrirjen e periudhës së hetimit prej vitit 2009 e këtej. Kjo pikë e rendit të ditës u shty për një mbledhje tjetër./Shqiptarja