Në Shqipëri ka filluar punimet seanca e 63-të plenare e Asamblesë Parlamentare të Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (PABSEC), e cila zhvillohet në përfundim të presidencës shqiptare të kësaj organizate.

Në fjalën e hapjes së seancës dyditore, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, u shpreh se organizata në fjalë ka qenë dhe do të vijojë të mbetet e hapur për bashkëpunime më të gjera, në rajon dhe përtej rajonit, duke qenë sipas saj si deri tani një kontributore dhe nxitëse e paqes, kundër dhunës, konflikteve dhe agresioneve.

"PABSEC, ashtu si gjithë rajoni i Detit të Zi, Evropa Jug-Lindore, Lindja e Mesme, Mesdheu, Evropa vetë, madje gjithë bota e sotme, po jetojnë ditë jo të mira. Vështirësive të zakonshme u janë shtuar dy luftërat që zhvillohen njëra brenda rajonit tonë dhe tjetra në periferi të tij. Këto situata vështirësuan, por nuk penguan dhe nuk do të mund të pengojnë as në të ardhmen bashkëpunimin mes vendeve tona, mes popujve e njerëzve tanë, me kultura, besime, histori dhe tradita të ndryshme zhvillimi", është shprehur ajo.

Nikolla ka theksuar se mozaiku i kulturave dhe vlerave të përbashkëta dhe të veçanta, do të mbijetojë dhe do të avancojë.

"Në emër të Kuvendit të Shqipërisë si edhe të popullit shqiptar, rikonfirmoj vendosmërinë dhe angazhimin e Shqipërisë si një anëtare themeluese e PABSEC-ut, për të kontribuar që dialogu, jo konfliktet të jenë rruga jonë e bashkëpunimit", është shprehur Nikolla.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, në fjalën e tij tha se mbledhja e sotme shpalos bindshëm profilin e Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe vullnetin e palëkundur të Qeverisë shqiptare për të dhënë kontributin në të mirë të paqes, sigurisë dhe prosperitetit social e ekonomik.

"Dimensioni parlamentar i organizatës sonë duhet të luajë një rol të dorës së parë në bashkëpunimin jo vetëm mes parlamenteve, por edhe të shoqërive tona në një kuptim sa më të gjerë, si shprehje e vullnetit të shëndetshëm politik, vullnet që ngrihet mbi parime, vlera, por dhe interesa të ndërsjella në dobi të popujve të pellgut të Detit të Zi", është shprehur Hasani.

Sekretari i Përgjithshëm i PABSEC-ut, Asaf Hajiyev, tha se rajoni i Detit të Zi po bëhet një pjesë e rëndësishme e politikës botërore. "PABSEC do të vazhdojë të kontribuojë për bashkëpunimin rajonal me moton 'Paqe, Pajtim dhe Bashkëpunim'", është shprehur Hajiyev.

Organizata disa anëtarëshe PABSEC, e themeluar në vitin 1993, synon të shumëfishojë dhe zhvillojë më tej marrëdhëniet ekonomike, teknologjike dhe sociale dypalëshe dhe shumëpalëshe midis vendeve të saj anëtare./aa