Tek instalacioni Reja është duke u zhvilluar edicioni i 8-të i Cloud Festival.

Përmes një postimi online, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja i ka bërë jehonë kësaj ngjarjeje që promovon diversitetin kulturor dhe fuqinë e artit për të bashkuar njerëzit.

“Tek Reja – vendtakimi ku e reja ndërthuret me tradicionalen, duke sjellë performanca magjike nga artistë vendas dhe ndërkombëtarë në poezi, kërcim dhe muzikë”, shkroi ministri Gonxhja në rrjetet sociale.

Ai ftoi publikun t’i përjetojë aktivitetet tek “Reja” si një festë të vërtetë të artit, ku talenti dhe krijimtaria e artistëve do të ndriçojnë netët e majit.

Aktivitetet e Cloud Festival do të vijojnë deri më 26 maj.

Bashkia e Tiranës njoftoi se sot festa do të vijojë me dy performanca të mrekullueshme nga artistë shqiptarë dhe të huaj. Në orën 19:00 mund të ndiqet “Electroaoustic Performance “ nga Mats Erlandsson dhe në orën 20:00, “Sikur n’Shkodër” nga grupi “Berti dhe miqtë”./ata