Në Madrid të gjithë flasin për Vinicius Jr, Bellingham, apo yje të tjerë, lojtarë që udhëhoqën Realit drejt titullit në La Liga dhe finales së Champions League. Ky ishte një sezon ku pritshmëritë nuk ishin kaq të larta, më shumë tifozët po mendonin për sezonin e ri, në pritje të Kylian Mbappe. Carlo Ancelotti kishte një ekip të limituar, i kushtëzuar shumë edhe nga dëmtimet e disa lojtarëve si Arda Guler. Fantazisti turk kaloi pjesën më të madhe në infermieri, por për sa kohë ka qenë në fushë, shifrat dhe rendimenti i tij janë fantastike.

Në Liga, Arda është aktivizuar në 10 ndeshje, 373 minuta në total, por ka shënuar 6 gola, më saktë 1 gol çdo 62 minuta, shifra të denja për një “bomber” klasi. Jo vetëm kaq, saktësia e tij është e një tjetër niveli, 6 gjuajte në kuadrat 6 gola, 100% i saktë. I mahnitur nga paraqitjet e tij u shfaq edhe Ancelotti:

“Sa më pranë portës është, aq më i zoti është. Është shumë efikas, ka shënuar shumë gola me pak raste, është një talent special”, u shpreh Ancelotti pas sfidës kundër Villareal, ku Guler realizoi një “dopietë” golash.

Në lidhje me impaktin e tij te Reali këtë sezon dhe ndikimin e Ancelottit foli edhe vetë Arda Guler: “Nuk i kisha imagjinuar kurrë numra të tillë. Unë mendoj vetëm të punoj në fushë, por gjithsesi jam shumë i lumtur që kam këto numra. Ancelotti? Edhe kur nuk luaja fliste shumë me mua. Më thoshte në çdo moment që të kisha durim, të punoja, pasi do të vinte edhe momenti im”, u shpreh Arda Guler./BalkanWeb