Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar për rolin e rrezikshëm të Serbisë në rajon, duke vepruar si një “Rusi e vogël” në Ballkan.
Në një intervistë për “The Times", Kurti ka theksuar se ka një valë “të paprecedentë” dezinformimi që po del nga Serbia.
“Rusia po bashkëpunon ngushtë me Serbinë në fushata të dezinformimit dhe në sulme kibernetike kundër atyre vendeve të Ballkanit që po mbështesin Ukrainën,” ka deklaruar Kurti.
Ai gjithashtu ka deklaruar se Kremlini po përdor lidhjet e veta me Beogradin, një aleat i ngushtë, për të nxitur tensionet në Ballkanin Perëndimor.
“Në Ballkan, Serbia po vepron si një ‘Rusi e vogël.’ Mënyra se si mediat serbe kanë pasqyruar konfliktin në Ukrainë, duke pretenduar menjëherë pas pushtimit rus se Ukraina ka sulmuar Rusinë, tregon mbështetjen e tyre për Rusinë.”
Ai shtoi se dezinformimi po vepron si një front i dytë i luftës, me mediat serbe që paraqesin ngjarjet në veri si të provokuara nga Qeveria e Kosovës. Kurti u shpreh se qëllimi i këtyre operacioneve është të provokojnë përplasje të mëtejshme dhe të shpërndajnë lajme të rreme./BalkanWeb