Kina dënoi sulmet e Izraelit ndaj Forcave Paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara në Liban (UNIFIL) dhe bëri thirrje që të garantohet siguria e paqeruajtësve.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning, në konferencën për shtyp të mbajtur në kryeqytetin Pekin bëri një vlerësim në lidhje me sulmet e Izraelit ndaj objekteve të UNIFIL në jug të Libanit.

Ajo ka nënvizuar se sulmi me vetëdije ndaj paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara (OKB) është kundër ligjit humanitar dhe shkel rezolutën 1701 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së e cila siguron dakordësimin për një armëpushim midis Izraelit dhe Hezbollahut pas luftës në 2006.

"Kina është thellësisht e shqetësuar për sulmet dhe i dënon në mënyrën më të fuqishme sulmet e Forcave të Mbrojtjes izraelite ndaj punonjësve paqeruajtës", tha Mao.

Mao tha se sulmet ishin "të papranueshme" dhe se duhet të nisë një hetim dhe se duhet të kërkohet llogari nga përgjegjësit për të parandaluar përsëritjen e tyre. "Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve përkatëse, veçanërisht Izraelit që të marrin masa për të ulur tensionin dhe për të garantuar sigurinë e paqeruajtësve të OKB-së", shtoi Mao.

 

- Ushtria izraelite shënjestroi UNIFIL

UNIFIL njoftoi dje se 2 ushtarë të Forcave të Paqes u plagosën lehtë si pasojë e sulmit të ushtrisë izraelite që shënjestroi një kullë vëzhgimi.

Edhe sot ushtria izraelite shënjestroi me një predhë artilerie hyrjen kryesore të qendrës së komandës së UNIFIL-së në rajonin Naqoura në Libanin jugor dhe një kullë vëzhgimi UNIFIL u godit nga një "tank Merkava". U njoftua se nga sulmet u plagosën edhe dy ushtarë të tjerë.

 

- Rezoluta nr.1701 e KS-OKB-së

Rezoluta nr. 1701 e KS-OKB-së parashikon tërheqjen e Izraelit pas Linjës Blu dhe çarmatimin e rajonit midis kësaj linje dhe lumit Litani në Liban dhe se aty do të mbahen vetëm armët dhe pajisjet ushtarake që i përkasin ushtrisë libaneze dhe UNIFIL-it.

Por pothuajse të gjitha rajonet midis lumit Litani në jug të Libanit dhe Linjës Blu, e cila përcaktohet si kufiri me Izraelin, kanë qenë nën ndikimin e fortë ushtarak të Hezbollahut që nga viti 2000./aa