Në Maqedoninë e Veriut filloi programi i trajnimit ndërkombëtar dhe gara e prezantimit lidhur me çështjet bashkëkohore në ligjet e të drejtave të njeriut.

Programi i cili do të vijojë edhe në dy ditët e ardhshme organizohet me mbështetjen e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) në bashkëpunim me Akademinë Turke të Drejtësisë dhe Akademinë e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve të Maqedonisë së Veriut.

Kreu i Akademisë së Drejtësisë të Türkiyes, Muhittin Özdemir tha se akademia është e angazhuar në trajnimin efektiv të kuadrove për sigurimin e drejtësisë.

"Qëllimi ynë është të trajnojmë gjyqtarë dhe prokurorë të përkushtuar ndaj ligjit dhe të drejtave të njeriut, të paanshëm dhe të pavarur, që vendosin me ndërgjegjen e tyre të lirë, që u përmbahen parimeve të etikës profesionale, që mund t'i përgjigjen nevojës së shoqërisë për drejtësi", tha Özdemir.

Ai u shpreh se trajnimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve është aq thelbësor sa mund të ndryshojë fatin e gjyqësorit. Özdemir theksoi se akademia ndërmerr hapa për të rritur cilësinë e trajnimit, duke theksuar se aktualisht janë duke trajnuar 1.047 kandidatë për gjykatës dhe prokurorë në Türkiye.

"Për sa i përket trajnimeve ndërkombëtare, ne kemi përgatitur programe trajnimi në 9 tema të ndryshme, me një qasje trajnimi të orientuar drejt bashkëpunimit. Që nga viti 2023, ne kemi ofruar trajnime për më shumë se 350 gjyqtarë dhe prokurorë të huaj nga shumë vende, përfshirë Shqipërinë, Bosnjë e Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë", tha Özdemir.

Kreu i TIKA-s në Shkup, Mehmet Bayrak shprehu kënaqësinë që agjencia është një nga kontribuesit e programit. "Besoj se në kuadër të këtij programi do të forcohen edhe më tej lidhjet e forta historike mes Türkiyes dhe Maqedonisë së Veriut, dy vende miqësore dhe vëllazërore", tha Bayrak.

Ai përkujtoi se TIKA në Maqedoninë e Veriut funksionon që nga viti 2005, duke zbatuar aktivitete në sektorë të ndryshëm, siç është arsimi, shëndetësia, bujqësia, ndërtimi i kapaciteteve të institucioneve si dhe fusha tjera.

"Sidomos në fushën e gjyqësorit dhe drejtësisë ne kemi bashkëpunim të mirë me institucione të ndryshme përmes programit tonë për ngritjen e kapaciteteve gjyqësore. Për shembull, ne ofruam mbështetje teknike harduerike për Gjykatën Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut këtë vit si dhe rinovuam dhe pajisëm sallën e takimeve në vitin 2020. Ne gjithashtu mbështetëm rinovimin e infrastrukturës teknike të Këshillit Gjyqësor, Avokatit të Shtetit, Këshillit Suprem, Gjykatës së Apelit në Shkup, Gjykatës Themelore në Tetovë dhe këtë vit planifikojmë të kontribuojmë në gjykatën rajonale në Gostivar", tha Bayrak.

Krahas donacioneve teknike, ai theksoi rëndësinë edhe të shkëmbimit të përvojës dhe njohurive mes gjyqtarëve dhe akademikëve.

Në hapje të programit, fjalim kishin edhe kryetarja e Këshillit Gjyqësor të Maqedonisë së Veriut, Vesna Dameva, kryetarja e Këshillit të Prokurorëve Publikë, Dushica Dimitrieska si dhe të ftuar të tjerë. Ata u shprehën se trajnimi është i rëndësishëm për të gjithë pjesëmarrësit, si për kandidatët, ashtu edhe për gjykatësit dhe prokurorët aktivë, të cilët kanë nevojë për këtë trajnim.

Sa i përket garës së prezantimit, ajo për herë të parë u organizua në Antalya të Türkiyes para dy vitesh, ku fitues ishte një kandidat nga Maqedonia e Veriut./aa