Presidentja e Republikës së Sllovenisë, Nataša Pirc Musar mbajti sot një fjalim para deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë në seancën e posaçme.

Në fjalën e saj, Musar theksoi se BE pa Ballkanin Perëndimor nuk është bashkim europian. Sipas saj, anëtarësimi i shpejtë i këtij rajoni duhet të promovohet aktivisht.

“Dhe Sllovenia po e bën këtë. Sipas mendimit tonë Shqipëria i plotëson kushtet për hapjen e klasterit të parë të negociatave. Ne besojmë se Shqipëria mund të vendoset dhe të jetë një shembull se si përballet me sfidat e vështira të përmbushjes së kushteve për anëtarësim. Shqipëria duhet të lejohet të tregojë se mund të jetë një tjetër e ndritshme në historinë e procesit të integrimit europian”, deklaroi presidentja sllovene.

Ajo vuri theksin në nevojën e rritjes së bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

“Sllovenia mezi pret ditën kur do të jetë në gjendje të përshëndesë Shqipërinë mes vendeve anëtare të BE-së. Në këtë rrugëtim, vendet tona mund të sigurojnë se bashkëpunimi i tyre të rritet edhe më shumë dhe ne të shfrytëzojmë potenciale të shumta, veçanërisht në fushën ekonomike. Tregtia mes vendeve është duke u rritur, por është ende shumë e ulët. Shkëmbimet tregtare janë aktualisht rreth 100 milionë euro në vit. Është thelbësore që komunitetet e biznesit të të dy vendeve të takohen më shpesh dhe të krijojnë lidhje”, tha ajo.

Musar vlerësoi edhe rolin e grave në politikën shqiptare teksa tha se 35 % e deputetëve në Kuvend janë gra.

“Më shumë se 35 % e deputetëve në Kuvend janë gra. Në parlamentin slloven janë më shumë se 38 % gra. Kështu po i dërgojmë botës një mesazh se vetëm duke qenë së bashku mund të ndërtojmë shoqëri dhe vende të suksesshme”, tha Musar.

Presidentja foli dhe për sfidat me të cilat po përballet bota sot, sipas së cilës, po trondisin normat dhe vlerat, ndërsa dhuna po gjen më tepër hapësirë.

“Bota në të cilën ne jetojmë është e mbushur plot me sfida. Fatkeqësisht edhe me ato që trondisin themelet e normave dhe vlerave me të cilat u rritëm dhe duam që fëmijët tanë të gëzojnë. Dhuna dhe jo paqja po gjen rrugën në komunitetin ndërkombëtar. U tronditëm kur dëgjuam për tentativën e vrasjes së kryeministrit sllovak, Fico. Mikja ime e mirë dhe një politikane e shquar Zuzana Çaputova, e cila po largohet nga detyra e Presidentes tha se:  nuk u sulmua vetëm politikani, por u sulmua edhe demokracia si një mënyrë jetese. Prandaj këto ngjarje duhet të kuptohen nga një perspektivë më e gjerë”, u shpreh Musar.

Ato, shtoi presidentja, janë pjesë e ndryshimeve alarmante në komunitetin ndërkombëtar, me pasoja të paparashikuara për gjithçka që përcakton botën e civilizuar.

“Çfarë na përcakton ne, na identifikon ne, kush jemi dhe për çfarë duhet të përpiqemi janë tre ideale. Përveç demokracisë është edhe ruajtja e lirisë dhe e dinjitetit njerëzor. Pa këto, nuk ka jetë që ja vlen të jetohet. Në këtë kontekst, komuniteti ndërkombëtar ndodhet në një kryqëzim mes të mirës dhe të keqes. E mira në komunitetin ndërkombëtar do të thotë bashkëpunim, ndarje të punës, respekt reciprok dhe gjithëpërfshirje. Ndërsa e keqja do të thotë ndjekje e verbër e objektivave të vet duke injoruar të tjerat”, tha presidentja sllovene.

Musar tha se bota po përballet me sfida të mëdha dhe se multilariteti është gjuha për zgjidhjen e krizave globale. Njëkohësisht ajo vlerësoi rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit.

“Jetojmë në një kohë krizash globale të rënda, të tilla si ndryshimet klimatike, marrëdhëniet e paqarta mes superfuqive, rritja e pabarazive të tilla si drejtimi i zhvillimit të BE-së. Ka vetëm një mënyrë për të përballuar sfidat në mënyrë që të ruajmë vlerat. Në gjuhën e sportit quhet punë në grup. Multilariteti është gjuha për zgjidhjen e krizave globale. Duke i trajtuar individualisht nuk do të jemi në gjendje të shmangim edhe kërcënimet për sovranitetin tonë. Vendet e vogla janë të dobëta para një kundërshtari të forte. Por, zëri ynë është më i fortë brenda kuadrit të një forumi shumëpalësh. Nëse dikush e kupton këtë, ajo është Shqipëria, për shkak të përvojës tuaj si anëtare në Këshillin e Sigurimit. Duhet të pyesim veten nëse vërtet do t’u nënshtrohemi urdhrave të vendeve që thjeshtë duan të afirmojnë interesat e tyre në kurriz të të tjerëve. Fatkeqësisht ende duhet të përballemi me trashëgiminë e sjelljes reaksionare”, deklaroi presidentja sllovene.

Ajo u ndal dhe te agresioni rus në Ukrainë, për të cilin u shpreh se Federata Ruse ka shkelur brutalisht rendin ndërkombëtar pas luftës.

“Rusia po shfrytëzon superioritetin e tanishëm ushtarak dhe nuk. Rusia nuk ka ndërmend të ndalojë agresionin. Aleatët nuk do të jenë të mundur të ndihmojnë Ukrainën pa një angazhim të drejtpërdrejt me Rusinë”, tha ajo.

Më tej, Musar vuri theksin në nevojën e gjetjes së mekanizmave për paqe.

“Retorika ushtarake është veçanërisht e lartë në Evropë sot, gjë që shqetëson diplomatët edhe më me përvojë. Disa prej tyre mendojnë, e unë pajtohem me ta se një stimul për paqen që do të ndihmonte diplomacinë, është në këtë pikë po aq e rëndësishme sa edhe armët e reja për Ukrainën. Sa më shumë të rritet numri i nismave të tilla aq më pak do të flitet për zgjidhje ushtarake, si e vetmja zgjidhje për konflikt”, theksoi Musar.

Në bindjen e saj, roli i diplomacisë në këtë konflikt nuk është diskutuar si duhet.

“Janë disa iniciativa të ndryshme për paqen që janë prezantuar. Konferenca e ardhshme në Zvicër përbën një hap të madh drejt fundit të kësaj tragjedie të tmerrshme”, u shpreh ajo më tej./ata