Presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, po realizon një vizitë zyrtare në Shqipëri, ndërkohë është pritur me ceremoni nga presidenti Bajram Begaj.
Presidenti Begaj ka pritur me ceremoni shtetërore presidenten sllovene në selinë e Presidencës së Shqipërisë, ndërkohë pas takimeve dy homologët mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat, duke u fokusuar në çështjet e bashkëpunimit mes dy vendeve, mbështetjen e Sllovenisë ndaj Shqipërisë dhe çështje të tjera.
-"Shqipëria është një zë i fuqishëm i integrimit euroatlantik të rajonit”
Begaj u shpreh se Shqipëria dhe Sllovenia gëzojnë një miqësi tradicionale dhe zhvillojnë marrëdhënie shumë të mira, të cilat sipas tij bazohen jo vetëm në interesa të përbashkëta dypalëshe dhe rajonale, por edhe në vlera të përbashkëta dhe partneritete strategjike, sidomos në kuadër të NATO-s dhe të perspektivës së përbashkët evropiane.
"Shqipëria është një zë i fuqishëm i integrimit euroatlantik të rajonit. Si shqiptarë, një popull historikisht paqedashës, ne jemi të interesuar për një rajon në paqe, të zhvilluar, me sytë nga Evropa dhe të integruar në rajon dhe në BE. Shqipëria dhe Sllovenia marrin pjesë aktive në nisma dhe forume rajonale, nga të cilat veçoj Forumin e Bledit, procesin e Brdo-Brijunit dhe atë të Berlinit", tha Begaj.
Presidenti Begaj tha se shqiptarët e rajonit janë faktor stabilizues dhe me orientim euroatlantik dhe sipas tij kjo u tregua edhe në rolin vendimtar të tyre në anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi në NATO dhe se kjo dëshmohet edhe në përafrimin e shpejtë të Kosovës drejt NATO-s.
"Ballkani Perëndimor mbetet ende një rajon vulnerabël nga aktorët që frymëzohen nga e kaluara për të projektuar një të ardhme që është larg Evropës dhe vlerave demokratike. Agresioni i padrejtë rus ndaj Ukrainë është një sinjal tjetër alarmi se sa të kujdesshëm dhe bashkëpunues duhet të jemi për të zvogëluar rreziqet nga këta aktorë", u shpreh ai.
- Presidentja sllovene: Të gjithë e dimë se çfarë ka ndodhur në Srebrenicë"
Presidentja sllovene tha se ka vendos fokusin e punës së saj në Ballkanin Perëndimor, pasi sipas saj Sllovenia beson se vendi i shteteve të Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian.
Duke theksuar se Sllovenia gjithmonë do të jetë mbështetëse e Shqipërisë në rrugën evropiane, ajo u shpreh se "Kur shikoj rezultatet e shtetit tuaj (Shqipërisë) jam tepër e kënaqur, para së gjithash për luftën kundër korrupsionit. Më së shumti më kënaq përparimi i Shqipërisë në fushën e turizmit".
Duke folur për projektrezolutën mbi gjenocidin në Srebrenicë, që do të diskutohet dhe votohet në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Musar tha se "Para votimit mbi Srebrenicën (rezolutën) mund të them si kryetare e Republikës së Sllovenisë se jam shumë e kënaqur që të gjithë shtetet e Ballkanit Perëndimor janë bashkuar, përpos Serbisë. Besoj se të gjithë jemi të vetëdijshëm sesa të rëndësishme janë këto rezoluta edhe për shkak të konflikteve, luftës në Gaza, që shpesh nuk më lë të fle. Ne politikanët duhet të flasim se çfarë është e drejtë dhe çfarë jo. Të gjithë e dimë se çfarë ka ndodhur në Srebrenicë".
Ajo theksoi se civilët më së shumti pësojnë në luftërat, si në Ukrainë, ashtu edhe në Gaza, Sudan apo diku tjetër ku janë konfliktet sot.
Për procesin e integrimit evropian, ajo tha se "Ky nuk është një proces i lehtë. Shtetet nuk duhet të rrinë në dy karrige dhe kjo nuk vlen për Shqipërinë. Ne shpesh e shohim se edhe vullneti për të hyrë në BE zvogëlohet. Në Maqedoninë e Veriut vetëm shihet një zvogëlim i tillë. Besoj se të gjithë do të jemi të vetëdijshëm dhe të kemi aq mençuri që ta kryejmë këtë proces".
Presidentja sllovene do të mbajë edhe një fjalë përshëndetëse në Kuvendin e Shqipërisë si dhe do të takohet edhe me kryeministrin Edi Rama dhe kryeparlamentaren Lindita Nikolla./aa