Ka përfunduar "Projekti për prodhimin e mëmave dhe qumështit të bletës - Programi për Zhvillimin e Bletarisë së Qëndrueshme”, i zbatuar nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA) për bletarët në Prishtinë.
Në ceremoninë e certifikimit të pjesëmarrësve të trajnimit, organizuar nga TİKA në bashkëpunim me Shoqatën e Bletarëve të Kosovës, morën pjesë koordinatorja e TİKA-s në Prishtinë, Fulya Aslan, kryetari i Shoqatës së Bletarëve të Kosovës, Syleyman Zogjani, si dhe instruktorë dhe bletarë.
Në fjalën e saj, koordinatorja e TİKA-s tha se me projektin që kanë realizuar kanë rritur prodhimin efikas dhe kanë parandaluar hyrjen e sëmundjeve dhe parazitëve në rajon.
Aslan theksoi se Kosova ka kushte dhe florë shumë të bukur klimatike dhe se synojnë të ofrojnë diversitet të produkteve në këtë fushë me trajnimin për qumështin e bletëve dhe bletët mbretëreshë.
"Ne organizuam një program trajnimi për 17 bletarë për prodhimin e bletëve mbretëreshë (mëmave) dhe 11 bletërritëse femra për prodhimin e qumështit të bletëve. Bletarët importojnë bletë mbretëreshë nga jashtë. Ne synuam t'i mësojmë ata se si të rrisin bletët e tyre praktikisht, në mjedise të kushtëzuara, me teknika moderne”, tha Aslan.
Duke theksuar se falë trajnimeve u mundësua fuqizimi i grave që të kontribuojnë në sektorin e prodhimit, Aslan tha se trajnime të ngjashme do të zhvillohen edhe në të ardhmen.
Kreu i Shoqatës së Bletarëve të Kosovës gjithashtu theksoi se trajnimi i ofruar ishte i rëndësishëm dhe se Kosova kishte nevojë për një mbështetje të tillë.
Zogjani tha se beson se me këtë trajnim do të ndalohet sjellja e bletëve mbretëreshë të rreme dhe të importuara në vend.
“Besoj se me këtë projekt bletarët kosovarë tani kanë mundësinë të prodhojnë bletë mbretëreshë të cilësisë së lartë dhe vendore”, tha Zogjani.
Ceremonia u mbyll me shpërndarjen e certifikatave për pjesëmarrësit që ishin të suksesshëm në trajnimin 10-ditor./aa