Për herë të parë në Kosovë është mbajtur kongresi vjetor i Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ), me rreth 100 gazetarë e delegatë të asociacione e unioneve nga shtetet e Evropës.
Në kongresin e EFJ-së, nikoqir i së cilës është Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), temë kryesore ka qenë “Raportimi nga lufta”.
Lufta në Ukrainë dhe së fundmi edhe lufta në Gaza, si dhe sakrifica e raportimit të gazetarëve nga këto dy vatra ishin ato të cilat u përmendën nga folësit në kongres.
Presidentja e EFJ-së, Maja Sever, tha se të jesh gazetar në këto kohë nuk është një detyrë e lehtë. Ajo tha se gazetarët nuk janë ata që kërcënojnë dikë, por janë kundër dezinformatës dhe kërcënimit politik.
“Më shumë se 140 gazetarë vdiqën në Gaza, duke pasur parasysh edhe kolegët e tyre që vdiqën në Ukrainë. Unë besoj se ne jemi të gjithë së bashku në dëshirën tonë për paqe në këto vende sa më shpejtë që të jetë e mundur”, theksoi Sever.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, me një fjalë rasti para gazetarëve të pranishëm tha se gazetaria nga frontet e luftës nuk është aspak e lehtë. Ai tha se gazetaria ka fuqinë të kërkoj llogari, të hedh dritë mbi padrejtësi dhe t’u jap zë atyre që nuk kanë zë.
“Pikërisht këto ditë po i shohim bllokimet e shumta që po ndodhin, të cilat janë alarmuese, rreth raportimit të zhvillimeve në Gaza të Palestinës. Një përkujtues i vrazhdë i pengesave të vazhdueshme që i bëhen gazetarisë së lirë dhe vështirësitë që kanë gazetarët për të raportuar gazetarët nga lufta edhe në Ukrainë”, theksoi Rama.
Në kongresin e EFJ-së u mbajt edhe tryezë diskutimi ku pjesëmarrës ishin sekretari i përgjithshëm i EFJ-së, Tim Daëson, foto-reporteri i luftës, Florent Duplouy dhe presidenti i sindikatave kombëtare të gazetarëve të Ukrainës, Sergiy Tomilenko./aa