Kryeministri Edi Rama ka folur për median italiane lidhur me vonesën e hapjes së dy qendrave për emigrantët në Gjadër dhe Shëngjin, të cilat ishin parashikuar për në 20 maj. I pyetur nga gazetari, Gerardo Greco, për vonesat kryeministri Rama tha se kjo i përket tashmë shtetit italian.
“Shqipëria ofroi disponueshmëri dhe tokë, por asgjë më shumë”.– ka thënë Rama, për La Reppublica.
Kryeministri është shprehur skeptik mbi politikat që do të ndiqen nga Bashkimi Europian dhe Italia për mbarëvjatjen dhe funksionimin e këtyre dy kampeve.
“Qendra do të jetë gati për disa muaj gjithsesi, kjo nuk është asgjë! Por problemi do të jetë funksionimi i tij! Dhe do të jetë shumë e vështirë për procedurat: si do të menaxhoni 3000 persona në 28 ditë me burokracitë italiane dhe rregullat evropiane?”.
Sipas kryeministrit do të ketë apelime, do të ketë bllokime. Dhe nuk është vetëm ky problem: “Edhe ky plan Mattei… si ta çoni përpara? Po, mund të bëni marrëveshje, të hapni qendra në Tunizi ose Libi. Por a e dini se sa para janë në lojë për trafikimin e emigrantëve në ato brigje? Dhe gjithçka është menaxhuar shumë lart”, shtoi ai.
Marrëveshja e nënshkruar në 6 nëntor të vitit të kaluar në Romë, mes kryeministres italiane Giorgia Meloni dhe atij shqiptar Edi Rama, parashikon ngritjen e dy qendrave, e para në Shëngjin ku do të kryhen procedurat e verifikimit të emigrantëve që nisen nga Afrika e Veriut dhe kapen në det nga anijet italiane dhe, e dyta në Gjadër, ku ata do të mbahen të izoluar, deri në përfundim të procedurave për pranimin ose jo të azilit. Përgjegjësia mbi çdo veprimtari do të jetë e Italisë, së cilës i njihet dhe juridiksioni i plotë mbi qendrën e pritjes. Maksimumi i kapacitetit të kampit në një vit është 36 mijë persona./GazetaDita