Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamjen e rizbulimit të mozaikut në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar.
“Mozaiku “Shqipëria”, që copëz pas copëze ka përfunduar restaurimin me mbështetjen e Bashkimit Europian”, shkruan Kryeministri.
Në maj të vitit 2021, EU4Culture krijoi atelienë që do t’i shërbente procesit të restaurimit duke formuar një ekip ekspertësh multidisiplinor të përbërë nga inxhinierë, teknologë, specialistë të konservimit, restaurator dhe artistë që punuan për Mozaikun në vitet 1980. Pas diskutimeve të shumta dhe në konsultim me disa nga autorët, ekipi përcaktoi qasjen më të përshtatshme për restaurimin me fokus ruajtjen e elementeve origjinalë, duke marrë në konsideratë teknikat dhe materialet origjinale të përdorura si dhe zhvillimet moderne të teknologjisë në konservim dhe restaurim.
Pas kontrolleve të vazhdueshme, u vu re se uji që rridhte nga çatia depërtonte në të çarat e mozaikut duke shkaktuar ndryshkjen dhe zgjerimin e shufrave të armaturës nën sipërfaqe, gjë që çonte në krijimin e zgavrave. Për më tepër, disa nga copëzat origjinale të mozaikut pësuan fraktura për shkak të ekspozimit ndaj lagështirës dhe luhatjeve të temperaturës. Për këtë arsye, u pa i nevojshëm riparimi i çatisë. Gjatë riparimit, u zbulua se shtresat e çatisë të shtuara përgjatë viteve ishin pesë herë më të trasha se sa ishte parashikuar gjatë fazës së projektimit. Si pasojë, u hoqën më shumë se 437 tonë mbeturina dhe çatia u hidroizolua e u nivelua për të shmangur kontaktin e mozaikut me ujin e shiut.
Autorët e Mozaikut ndihmuan ekipin e EU4Culture në porositjen dhe blerjen e teserave nga fabrika me qendër në Venecia, e cila fillimisht i prodhoi ato 40 vite më parë. Kjo nuk ishte detyrë e lehtë, pasi ekspertët duhej të merrnin në konsideratë një sërë kompleksitetesh, si gjetja e mineraleve, ndikimi i temperaturave të jashtme, nivelet e lagështisë së jashtme, luhatjet termike në ditët dhe netët e prodhimit dhe shumë faktorë të tjerë. Duke qenë se disa nga mineralet e përdorura për prodhimin e teserave origjinale nuk ishin më të disponueshme dhe kimistët dhe teknologët duhej të bënin më shumë për të identifikuar dhe krijuar materiale që përputheshin saktësisht me tonet e ngjyrave origjinale.
Restauruesit e ndanë Mozaikun në segmente dhe e punuan çdo segment të dëmtuar në një atelie të përshtatur në muze, duke zëvendësuar, në zonat e prekura, hekurat dhe copëzat e ndryshkura me të reja. Gjatë 22 muajve, ata pastruan me kujdes dhe lyen me llak të gjithë sipërfaqen e mozaikut. Buxheti total i punimeve arriti në gati në një milion euro.
Restaurimi i ndërtesës së Muzeut Historik Kombëtar dhe rikonceptimi i ekspozitave muzeale do të vazhdojnë në gjysmën e dytë të vitit 2023.