Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ishte sot në Elbasan, ku u takua me fermerë të këtij qarku.

Fillimisht Denaj u takua me fermerë të zonës së Godoleshit, një nga qendrat për prodhimin e qershive në vend.

Ministrja bëri të ditur se diskutoi me fermerët mbi sfidat dhe mundësitë e zhvillimit të mëtejshëm. Godoleshi njihet për prodhimin e qershive të cilësisë së lartë, që tashmë shkojnë në tregun vendas dhe atë të huaj.

“I sigurova fermerët se do të kenë mbështetje të vazhdueshme për zhvillimin e sektorit bujqësor në Godolesh dhe theksova rëndësinë e bashkëpunimit dhe ngritjen e një pike grumbullimi për qershitë. Kjo do të ndihmojë në rritjen e cilësisë së prodhimit, përmirësimin e logjistikës dhe zgjerimin e tregut, duke rritur fitimet për fermerët lokalë”, tha ministrja.

Ministrja u ndal dhe në kompaninë Rozafa, ku prodhimi dhe përpunimi i produkteve të peshkut është një proces kyç që garanton cilësinë, sigurinë dhe qëndrueshmërinë e prodhimeve të detit, të cilat janë të rëndësishme për shëndetin e konsumatorëve dhe ekonominë e kompanisë, e cila është më e madhja në përpunimin e produkteve të peshkut në Shqipëri dhe rajon.

“Teknologjitë moderne që përdoren gjate procesit të përpunimit garantojnë që produkti të jetë i standardizuar sipas rregullave ndërkombëtare të sigurisë ushqimore. Zgjerimi i kompanisë përmes kontratave të sipërmarrjes jashtë vendit përmirëson besueshmërinë e produkteve tona në tregjet ndërkombëtare, dhe rritjen e eksporteve dhe promovimin e produkteve made in Albania”, tha ajo.

Denaj vlerësoi se një investim i rëndësishëm është edhe laboratori për analizat dhe sigurinë ushqimore, që i bashkohet kësaj ndërmarrjeje të rëndësishme për punësimin dhe eksportin e prodhimeve në Qarkun e Elbasanit./ata